Një rast i mosdeklarimit të shumave të mëdha të parave në kufi u evidentua nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë, ku një 67-vjeçar është proceduar penalisht. Ai tentoi të nxirrte nga Shqipëria 38,000 dollarë amerikanë, të fshehura në trup, pa i deklaruar në pikën kufitare.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, bazuar në informacionet operative, ndaluan automjetin që drejtohej nga shtetasi Gj. F., në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti shumën e padeklaruar.
Kontrollet u shtrinë edhe në banesën e tij, ku u gjetën dhe u sekuestruan 35,000 euro të tjera. Të gjitha paratë u sekuestruan si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, dhe 67-vjeçari akuzohet për veprat penale: “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.






