Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, ku deputetët po diskutojnë në lidhje me projektligjin e qeverisë që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë 5 vite në Shqipëri pas ciklit të studimeve.
Socialistët kërkojnë që ky projektligj të futet në rendin e Kuvendit me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që nisma është kontestuar nga deputetja e PD-së Flutura Açka. Demokratja tha se kjo është një nismë e nxituat, dhe masë shumë ekstreme që nuk mund të merret pa u konsultuar me grupet e interesit.
“Kjo është një masë shumë ekstreme. Nuk keni pse të nxitoheni. Nuk është konsultuar me grupet e interesit. Nuk e shoh të arsyeshme që të vijë në Kuvend me kaq nxitim. Në fillim mbaroni punët dhe pastaj merruni me studentet. Ndodh shkelja e të drejtave të njeriut, e pamundur që të vendosim me dhunë. Jam e sigurtë që studentët do të protestojnë.
Edhe unë jam për të marrë masa që fëmijët të mos na ikin, por jo të tilla absurde. Në një takim me të huaj, një zonjë gjermane u ankua, i thashë i keni marrë studentët dhe mjekët. I thashë na ktheni paratë si shtet, kushdo që lidh kontratë. Jo të detyroni fëmijën që të jesh politikisht korrekt.
Kjo është një masë ekstreme që i shkon për shtat politikave. Bëni një hap prapa dhe mos u nxitoni për këto masa drastike, sepse do të ketë pasoja. Do të ketë pasoja edhe për ju si maxhorancë”