Një studim i ri nga Universiteti Kindai në Japoni sugjeron se arginina, një aminoacid i zakonshëm dhe me profil të lartë sigurie, mund të reduktojë ndjeshëm dëmtimet karakteristike të sëmundjes Alzheimer në modele eksperimentale, raportoi “Sciencenews”. Gjetjet, të publikuara në revistën “Neurochemistry International”, tregojnë se administrimi oral i argininës ul grumbullimin e proteinës beta-amiloide (Aβ), redukton inflamacionin dhe përmirëson sjelljen tek mizat e frutave dhe minjtë.
Profesor Yoshitaka Nagai, bashkëautor i studimit, shpjegon se “Fakti që arginina është tashmë e njohur si e sigurt dhe e lirë e bën atë një kandidate shumë premtuese për ripozicionim si terapi për Alzheimerin”. Në modelet me minj dhe Drosophila, trajtimi me argininë uli ndjeshëm ngarkesën amiloide dhe efektet toksike të saj, duke përmirësuar performancën në testet e sjelljes dhe duke ulur shprehjen e gjeneve të citokinave pro-inflamatore.
Sipas studiuesve, përdorimi ekzistues dhe përshkueshmëria e mirë e argininës në tru mund të përshpejtojë kalimin drejt provave klinike tek njerëzit, duke ofruar një alternativë më të sigurt dhe më të përballueshme ndaj barnave aktuale kundër Aβ.






