Seanca plenare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është shoqëruar me akuza të forta nga opozita, me deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila denoncoi nga foltorja e Kuvendit se mazhoranca ka manipuluar dhe politizuar procesin e përzgjedhjes së kandidatit.
Tabaku tha se procedura e ndjekur nga mazhoranca bie ndesh me rekomandimet e Progres Raportit të Bashkimit Europian, duke theksuar se përzgjedhja e drejtuesve të institucioneve të pavarura po ndikohet nga mungesa e transparencës dhe kontrolli politik.
“Progres Raporti kërkon procedura të hapura, të bazuara në meritë, me kritere të qarta, konkurencë reale dhe profesionalizëm në përzgjedhje. Asgjë nga këto nuk është respektuar,” u shpreh Tabaku, duke kritikuar mënyrën se si mazhoranca po e trajton këtë proces.
Ajo argumentoi se, pavarësisht dëgjesave me kandidatët, asnjë prej tyre nuk ka marrë mbështetjen zyrtare të grupit parlamentar të PD-së, pasi firmat e mbledhura individualisht nga disa kandidatë nuk përfaqësojnë vullnetin politik të opozitës. Sipas Tabakut, PD i ka kërkuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve një proces të rishikuar dhe të bazuar në kritere të qarta, kërkesë që, sipas saj, është injoruar.
Tabaku theksoi rolin kyç të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja të drejtësisë, si KLP dhe KLGJ, duke paralajmëruar se kapja politike e këtij institucioni rrezikon pavarësinë e gjithë sistemit.
“Nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik që mazhoranca të ketë kandidaturë të saj për SPAK, për Gjykatën Kushtetuese, për Avokatin e Popullit dhe për Bankën e Shqipërisë. Ku janë kontrolli dhe balanca e pushteteve?”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar nenit 111 të Kushtetutës, Tabaku tha se procesi aktual është në kundërshtim me frymën dhe gërmën e ligjit, pasi Kuvendi “nuk ka çfarë të votojë”, duke qenë se nuk ekziston asnjë propozim zyrtar i opozitës.
“Në mungesë të firmave dhe propozimit zyrtar të grupit parlamentar të PD-së, kjo seancë nuk ka një projektvendim legjitim për të shqyrtuar,” përfundoi Tabaku, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të marrë kontrollin e një institucioni tjetër të rëndësishëm dhe të pavarur.






