Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike (PD) lidhur me vendimin për anulimin e seancës plenare të parashikuar për t’u zhvilluar më 10 tetor 2024. Në reagimin e saj, Spiropali ka shprehur keqardhje të sinqertë për sulmet që i cilëson si antidemokratike dhe jonjerëzore nga ana e opozitës. Kjo seancë plenare, e cila u anulua, përkonte me ardhjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në Tiranë për të inauguruar xhaminë e Namazgjasë, pranë Kuvendit.
Sipas Spiropalit, reagimi i PD-së ka përfshirë jo vetëm sulme verbale, por edhe akte fizike, duke iu referuar incidenteve të mëparshme si goditja me këmbë karrigeje gjatë seancave plenare. Ajo ka ftuar deputetët e Partisë Demokratike dhe në veçanti autorin e këtij incidenti, që të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre politike dhe parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.
Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre. Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional.