13.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Tedi Blushi: “Dhjetë vite në pushtet, Rilindja nuk mbajti asnjë premtimi sepse mashtrimi është pasioni i saj më i madh”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, në fjalën e tij nga Konventa Kombëtare e kësaj partie, u shpreh se Partia e Lirisë është parti e referendumit, lirisë dhe fjalës së mbajtur.

Blushi u shpreh se gënjeshtrat e kryeministrit Rama e qeverisë së tij, mund të errësojnë diellin e së vërtetës po se nuk e zënë dot atë.

Fjala e plotë:

Të dashur delegatë dhe anëtarë të mbledhur në Konventën Kombëtare të Partisë së Lirisë, në këtë tribunë të vërtetë lirie, ku secili prej nesh është i barabartë mes të barabartëve, i lirë mes njerëzve të lirë në partinë e kauzave kombëtare, gjithëpërfshirëse për këdo që do demokracinë, Kushtetutën dhe ligjin, punën, familjen dhe Atdheun.

 

 

Ne jemi shpresa e shqiptarëve të ndershëm, punëtorë dhe patriotë, zëri dhe zgjidhja më e vërtetë për problemet e tyre, sepse po dëshmojmë çdo ditë që kemi karakterin, forcën, vullnetin, vendosmërinë, energjinë, vitalitetin dhe vizionin për të luftuar të keqen që ka zënë për fyti fatet e Shqipërisë, të keqen që i është kundërvënë interesave qytetare dhe kombëtare dhe që ka bllokuar integrimin europian të vendit.

Indiferenca nuk ka qenë kurrë një fillim, por gjithmonë një fund. Sepse indiferenca është përherë aleate e së keqes, është vetëm në dobi të saj dhe nuk është kurrë në dobi të qytetarit.

Indiferenca mund të jetë tunduese dhe joshëse, por historia njerëzore ka treguar se është një dënim. Ndaj dhe e ardhmja nuk u përket indiferentëve por u përket guximtarëve që marrin në dorë fatet e tyre dhe luftojnë për dinjitetin njerëzor, demokracinë dhe vlerat saj, ju përket ju dhe të gjithë atyre shqiptarëve, që nuk mund të rrinë dhe të vështrojnë se çfarë e keqe po i ndodh sot komshiut të tyre me shpresën e kotë që e keqja nesër nuk do t’i vijë në derën e tij të shtëpisë.

Jemi në një moment shumë të veçantë për Partinë e Lirisë. Sot ne përmbyllim një proces të rëndësishëm organizativ, që na bën më të fortë për sfidat e vështira që na presin.

Vrullshëm po shtohemi çdo ditë me anëtarë të rinj dhe jemi sot më shumë se dje dhe nesër shumë më shumë se sot sepse mbështetja popullore, që vetëm rritet ndaj nesh, tregon dhe na motivon se jemi në rrugën e drejtë dhe të duhur në të cilin po ecim dhe duhet të ecim përherë edhe më shpejt.

Ne kemi një mision historik, me program konkret politik dhe ekonomik, për të mbrojtur qytetarët nga varfëria ekstreme, nga papunësia, vjedhja dhe shtypja kronike, nga pabarazia dhe konfliktet sociale torturuese, që Edi Rama dhe sekti i tij i korruptuar dhe kriminal i “Rilindjes” i mbolli mes nesh, duke detyruar vit pas viti mijëra të rinj, burra dhe gra të largohen nga Shqipëria, përmes një anxhende të qëllimshme antikombëtare shpopullimi.

Dhjetë vite në pushtet, “Rilindja” nuk mbajti asnjë premtimi sepse mashtrimi është pasioni i saj më i madh. Ndaj shqiptarët janë sot më të varfër ndërsa Edi Rama dhe banda e tij shumë më të pasur.

Atdheu ynë ka diell për të gjithë dhe shosha e gënjeshtërt e “Rilindjes”, përkohësisht mund ta ketë errësuar, por nuk nuk do ta mbulojë dot diellin e së vërtetës për shqiptarët, për të ngrohur vetëm Edi Ramën, ministrat, drejtorët, oligarkët dhe klientët e tij.

Ora e llogaridhënies po afron!

Të tmerrohet Edi Rama dhe kushdo hajdut poshtë tij që ka futur duart në xhepat e qytetarëve, se nuk do të mund ta bëjë më gjumin e qetë, që kurrë nuk do të jetë i lumtur dhe as do të gëzojë pasurinë e vendosur mbi gjakun, mundin dhe djersën e shqiptarëve.

Ndëshkimit ligjor dhe popullor nuk do t’u shpëtojnë kurrë! Çdo qindarkë të vjedhur dhe të fshehur, brenda dhe jashtë vendit do t’u sekuestrohet! Ligji për ta do të zbatohet në çdo gërmë, në çdo presje!

Partia e Lirisë është Partia e Fjalës së Mbajtur!

Kemi dhënë besën dhe fjalën e nderit se nuk do të bëjmë kurrë pazar për interesat e shqiptarëve, për interesat e vendit, të kombit dhe të integrimit europian të Shqipërisë. Këtë e kemi dëshmuar çdo ditë dhe do ta provojmë sa herë të lindë nevoja. Ne do t’i japim forcë zërit qytetar!

Ne jemi Partia e Referendumeve!

Sepse besojmë se forcimi i lirive politike, ekonomike dhe të drejtave të qytetarëve, kthimi i vendit në normalitet demokratik ku vullneti i qytetarëve zgjedh qeverisjen dhe imponon llogaridhënien e saj, duke zbatuar referendumin si formë të demokracisë direkte dhe si garantor se vullneti i qytetarëve nuk mund të merret peng nga keq-qeverisja.

Për ne Shqipëria është e para dhe shqiptarët janë të parët!

Koha kur opozita kapej, blihej, shitej dhe tradhëtonte kauzat e qytetarëve ka marrë fund njëherë e përgjithmonë!

Sot, kemi një opozita të vërtetë, me njerëz të lirë që nuk qëndrojnë indiferentë ndaj padrejtësive, që kanë vrarë frikën, kanë guximin dhe dinjitetin për të folur hapur të vërtetën, kanë forcën dhe kurajën për denoncuar, sepse nuk i kanë vënë një çmim shpirtit të tyre dhe as vetëofrohen më në tregun e gjësë së gjallë, por që reagojnë dhe kundërshtojnë pakompromis këtë regjim mafioz, që të dyja këmbët i ka në çdo pushtet, ndërsa të dyja duart në xhepat e shqiptarëve.

Transformimi i qeverisjes në shërbëtore të qytetarëve dhe jo të krimit dhe të oligarkeve, duke vënë qytetarin dhe familjen e tij, si përfitues kryesor të zhvillimit dhe rritjes ekonomike është angazhimi ynë madhor.

Dhjetë vite në pushtet, “Rilindja” e Edi Ramës degjeneroi në një makineri gjigande vjedhjeje, abuzimi dhe shtypjeje, në një instrument vetëm në shërbim të bizneseve të mëdha klienteliste dhe grupimeve kriminale pranë saj, të cilat janë bërë njësh me qeverisjen dhe janë përfituesit e mëdhenj të parave publike nëpërmjet aferës kriminale të inceneratorëve, PPP-ve, prokurimeve të drejtpërdrejta, tenderave sekretë, rrugëve të florinjta apo formave të tjera hibride që i kanë varfëruar më shumë shqiptarët, kanë shkatërruar konkurrencën dhe kanë mbyllur hapësirat e bizneseve të ndershme për të realizuar investime publike.

Asnjë vëmendje nuk është treguar për përfitimin e qytetarit, të punëtorit të thjeshtë, të mësuesit, pedagogut, inxhinierit, mjekut, profesionistit dhe biznesmenit të vogël, nëpërmjet rritjes dhe indeksimit të pagave, apo mbrojtjes nga rritja abuzive e çmimeve të produkteve të konsumit, të energjisë dhe shërbimeve.

Partia e Lirisë do ta shkëputë Qeverinë dhe Bashkitë nga kontrolli monist i këtyre grupimeve për ta kthyer pushtetin, nga mjet represioni në shërbim të qytetarëve, të rritjes së të ardhurave të tyre, për më shumë punësim, prosperitet, rend dhe siguri publike.

Nuk e kemi fshehur dhe nuk do ta fshehim asnjëherë që jemi më të vendosur se kurrë të mos i ndahemi së keqes derisa ta shporrim nga çdo lagje, nga çdo qytet dhe nga çdo bashki e Shqipërisë, për t’u rikthyer frymëmarrjen qytetarëve të asfiksuar nga betoni, plehrat dhe korrupsioni, për t’i rikthyer frymëmarrjen ekonomisë dhe mbarë vendit.

Çlirimi i ekonomisë nga korrupsioni, nga monopolet dhe interesat klienteliste për biznes dhe investime, duke garantuar rritjen e punësimit dhe të pagave si dhe paga dinjitoze për këdo që punon ndershmërisht janë një tjetër angazhim i yni madhor.

Partia e Lirisë është e vendosur për mbështetje reale për shtresat në nevojë, duke rivlerësuar të ardhurat jetike dhe duke i mbrojtur këto shtresa nga efektet e inflacionit, të rritjes së çmimeve, si dhe risku i mënjanimit nga shërbimet jetike publike si arsimimi dhe shërbimi shëndetësor.

Programi ynë është edhe transformimi i sistemit arsimor duke synuar formimin e qytetarëve që ruajnë dhe fuqizojnë demokracinë, ekonominë e tregut të lirë dhe të drejtat e liritë e tyre, që e duan Atdheun dhe shqiptarinë, dhe që janë krenarë për përkatësinë e tyre mes kombeve të tjera europiane.

Misioni ynë është gjithashtu ndalja e shpopullimit të vendit dhe krijimi i besimit tek çdo shqiptar, veçanërisht tek të rinjtë, se Shqipëria është vend i bekuar nga Zoti, ku ata janë zotër të fateve të tyre dhe kanë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre dhe të familjeve të tyre në siguri, liri dhe prosperitet të plotë.

Liria ka të bëjë me besimin e rinisë se Partia e Lirisë, dhe ata vetë, do të largojnë peshën e rëndë që i ka vënë vendit keq-qeverisja e Rilindjes dhe mundësive të tyre për arsimim cilësor dhe më shumë punësim për krijimin e familjeve të tyre, për t’u ndjerë të sigurtë dhe të lumtur në shtëpinë dhe Atdheun e tyre.

Sepse Partia e Lirisë është Partia e Rinisë!

Të dashur delagatë dhe anëtarë të Partisë së Lirisë,
Aty ku ka korrupsion dhe krim, aty nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqenie!
Për të ndalur korrupsionin dhe krimin, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç ndaljes së Qeverisë së kapur dhe të zhytur në krim dhe korrupsion.
Durimit të shqiptarëve u ka ardhur fundi! Siç e ka thënë më mirë Xhon Kenedi: “Liria është e pandashme. Dhe kur një njeri i vetëm është i skllavëruar, asnjë nuk është i lirë”.
Ndaj kur të gjithë shqiptarët të jenë të lirë dhe të çliruar nga sekti i korruptuar dhe kriminal i “Rilindjes”, dhe ne po punojmë pa u lodhur që ajo ditë të vijë sa më parë, dhe kur më në fund ajo ditë do të vijë dhe do të vijë patjetër, ne, Partia e Lirisë, çdo shqiptar i ndershëm dhe jo indiferent, patjetër që do të krenohet se ishte në vijën e parë të frontit për Shqipërinë e Lirë, më demokratike, më të drejtë, më të dhembshur, më sociale, plotësisht europiane!

Kjo është beteja jonë dhe së bashku do t’ia dalim!

Rroftë Partia e Lirisë!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë kombi shqiptar! Suksese të gjithëve!

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT