Atmosfera në Flamurtari është tensionuar ndjeshëm pas humbjes ndaj Bylisi, një ndeshje që ka sjellë përplasje të forta brenda klubit.
Në qendër të debatit është kapiteni i skuadrës, Lorenc Trashi, i cili është akuzuar publikisht nga administratori Sinan Idrizi për “shitje të ndeshjes”.
Sipas burimeve, akuza lidhet me momentet vendimtare në fund të takimit, kur Trashi u ndëshkua me karton të kuq pas kartonit të dytë të verdhë dhe njëkohësisht shkaktoi një penallti për Bylisin, e cila rezultoi vendimtare për fatin e ndeshjes. Idrizi e konsideron këtë jo si një gabim sportiv, por si veprim të qëllimshëm.
I kontaktuar nga mediat, Trashi ka konfirmuar ekzistencën e tensioneve, por ka zgjedhur të mos japë detaje në këtë fazë. “Për momentin, nuk do të komentoj më gjatë. Po pres të marr përjashtimin apo shkarkimin me dokument zyrtar nga ana e klubit,” u shpreh ai.
Kapiteni vlonjat theksoi se synon të mbyllë fillimisht marrëdhënien me klubin dhe më pas të ndjekë rrugën ligjore për mbrojtjen e reputacionit të tij. “Çështja do të shkojë në gjyq për akuzat e ngritura ndaj meje,” deklaroi ai.
Situata pritet të përshkallëzohet më tej, ndërsa përplasja mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit duket se do të zhvendoset tashmë në rrugë ligjore.






