Irani ka shtyrë emërimin e pasardhësit të udhëheqësit suprem të vrarë, Ajatollah Ali Khamenei, për shkak të shqetësimeve të shtuara për sigurinë.
Lajmi është raportuar nga The New York Times, e cila citon dy zyrtarë iranianë të paidentifikuar.
Sipas burimeve të gazetës, shqetësimet për sigurinë e djalit të Khameneit, Mojtaba Khamenei, janë rritur ndjeshëm pasi u bë e ditur se ai konsiderohet kandidati kryesor për të marrë postin e Liderit Suprem të Iranit.
Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, paralajmëroi se çdo udhëheqës i ri i emëruar nga Irani për të zëvendësuar Khamenein “do të jetë një objektiv që do të shkatërrohet”.
Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e quajti të papranueshme kandidaturën e Mojtaba Khameneit.
“Ne duam të shohim dikë që do të sjellë harmoni dhe paqe në Iran”, u shpreh Trump në një intervistë për Axios.
Kujtojmë se më 28 shkurt, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak kundër Iranit, duke ndërmarrë sulme ajrore në disa qytete të vendit. Irani iu përgjigj duke lëshuar raketa drejt territorit izraelit, ndërsa forcat iraniane goditën edhe baza ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik.
Si pasojë e përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme, disa vende të rajonit mbyllën përkohësisht hapësirën e tyre ajrore.
Sipas raportimeve, gjatë këtyre sulmeve mbeti i vrarë edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei.






