Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se projekti “Parku i Besimit” në Tiranë ka arritur të futet në finalen e një gare ndërkombëtare prestigjioze të arkitekturës, ku 12 finalistë nga vende të ndryshme të botës – mes tyre Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia – do të prezantojnë vizionet e tyre për këtë hapësirë unike.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se “Parku i Besimit” nuk do të jetë një hapësirë thjesht estetike, por një projekt që mishëron harmoninë, reflektimin dhe bashkëjetesën midis kulturave e besimeve.
“Me shpresë së shpejti do të kemi mundësi të çelim këtë hapësirë për aktivitete të ndryshme dhe njerëz krijues. Po nisim të mendojmë në formë konkrete për dhjetëra projekte në zonën përreth. Ky është shumë më tepër se ndryshimi i një hapësire – është një transformim që nuk ka të bëjë me fshirjen e së shkuarës,” u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se parku nuk do të jetë një “muze besimi”, por një “skulpturë e gjallë” që ndërthur frymën shpirtërore dhe natyrën:
“Parku i Besimit nuk është simbol i fesë. Është një faltore adhurimi që nuk bën pyetje në çfarë besoni, por ju fton të vini dhe të mrekulloheni. Këto pemë nuk u zgjodhën për bukuri, por sepse qëndruan në hije të besimit dhe u kthyen në strehë për mëshirë.”
Sipas Ramës, ky projekt synon të shndërrojë Tiranën në një shembull të dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës kulturore, duke ofruar një hapësirë të hapur për të gjithë – pa dallim feje, kombësie apo bindjeje.






