Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Agjentët e rremë”, duke arrestuar dy shtetas, bashkëjetues, të dyshuar për mashtrim ndaj qytetarëve në emër të blerjes së apartamenteve.
Bëhet fjalë për Elvis Ramca, 39 vjeç, dhe Veriana Ziu, 34 vjeçe, të cilët, sipas hetimeve, merrnin shuma të konsiderueshme parash duke premtuar blerjen e apartamenteve. Për të bindur qytetarët se paratë ishin depozituar, ata falsifikonin mandate banke, të cilat më pas i paraqisnin edhe shoqërive të ndërtimit për të lidhur kontrata fiktive shitblerjeje.
Operacioni u realizua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektorin “Shqiponja”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.






