Policia ka kryer një operacion efektiv të quajtur “Medikament”, duke arrestuar një farmacist dhe pronarin e një depoje pasi u gjetën dhe sekuestruan medikamente mjekësore dhe pajisje dentare me vlerë prej 17 mijë euro. Pas kontrollit në farmaci dhe depo, autoritetet zbuluan sasi të konsiderueshme medikamentesh pa pullë fiskale, duke u nisur menjëherë një hetim për aktivitetin e paligjshëm.
Strukturat e hetimit të krimit ekonomik e financiar dhe Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, arrestuan shtetasit E. H., 46 vjeç, dhe Q. H., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasit E. H., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në një depo të shtetasit Q. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, dhe pajisje dentare, me vlerë rreth 17000 euro.