Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur dënimet për anëtarët e grupit Habilaj, të përfshirë në akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, Moisi Habilaj është dënuar fillimisht me 15 vjet burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul me një të tretën dhe ai do të vuajë përfundimisht 10 vite heqje lirie.
Ndërkohë, Nezar Seiti, i konsideruar si ‘financieri’ i grupit Habilaj, u dënua me 12 vite burg, të cilat për shkak të gjykimit të shkurtuar u ulën në 8 vite.
Lidhur me akuzat për trafik droge, çështja ndaj Fatmir Minajt dhe Maridian Sulajt është pushuar, duke u konsideruar se ata janë dënuar më parë për të njëjtën vepër.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, gjykimi u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar dhe trupi gjykues përbëhej nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole. Vendimi për dënimin e Habilajt përfshin episodet e datave 18.10.2017 dhe disa episodet e zhvilluara në Itali në periudhën 2013–2015, për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” dhe pjesëmarrjes në “Grup të strukturuar kriminal”.
Dënimet do të ekzekutohen në një burg të sigurisë së lartë, sipas rregullave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.






