Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën e Evosmos në Selanik, ku një grua 59-vjeçare, banore e Gjermanisë, është gjetur e pajetë në banesën e saj. Viktima ishte denoncuar si e zhdukur nga një shoqe e ngushtë, e cila nuk kishte mundur të lidhej me të dhe më pas njoftoi policinë.
Gjatë kontrollit, gruaja u gjet gjysmë e zhveshur, me një rrip të mbështjellë rreth qafës, një fakt që ka ngritur dyshime për një vdekje të dhunshme. Në vendngjarje ka mbërritur një mjek ligjor, ndërsa hetimet paraprake po kryhen nga strukturat e krimit të organizuar.
Sipas informacioneve, 59-vjeçarja kishte ardhur në Greqi për një shërbim përkujtimor për fëmijën e saj dhe kishte paguar paraprakisht për blerjen e banesës ku u gjet e pajetë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.






