Një sërfist humbi jetën tragjikisht pasi u sulmua nga një peshkaqen në ujërat e Sydney-t, duke tronditur komunitetin lokal dhe sërfistët në Australi.
57-vjeçari Mercury Psilakis, emigrant grek dhe sërfist me përvojë, po bënte sërf me miqtë e tij rreth 100 metra larg bregut në plazhin Dee Why, pak pas orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës me orën lokale, kur u sulmua nga kafsha e frikshme. Miqtë e tij reaguan menjëherë dhe e nxorrën nga uji, por për shkak të humbjes së madhe të gjakut, Psilakis nuk mundi të mbijetojë.
Autoritetet njoftuan se dy pjesë të dërrasës së tij të sërfit janë dërguar për ekzaminim, në përpjekje për të identifikuar specien e peshkaqenit që kreu sulmin. Deri më tani nuk është përcaktuar saktësisht cila specie ishte, ndërsa disa plazhe u mbyllën për masë sigurie dhe paralajmërim ndaj banorëve dhe turistëve.
Sulmi i së shtunës shënon rastin e parë fatal nga një peshkaqen në qytetin më të populluar të Australisë që nga vdekja e një instruktori 35-vjeçar britanik të zhytjes në Little Bay në shkurt të vitit 2022. Para këtij rasti, sulmi fatal i fundit nga një peshkaqen në Sydney datonte në vitin 1963, duke e bërë ngjarjen një incident jashtëzakonisht të rrallë dhe tronditës për komunitetin e sërfistëve.
Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes maksimal në ujërat e zonës dhe paralajmërojnë banorët dhe turistët që të shmangin notin dhe aktivitetet ujore deri në përfundimin e hetimeve.






