Një ditë pas aksidentit fatal që tronditi Voskopojën, Policia Rrugore e Korçës ka vënë në pranga F.H., 73 vjeç, banues në Korçë, i cili akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:40, në rrugën e fshatit Voskopojë, ku A.E., një 53-vjeçare që po udhëtonte me biçikletë, u përplas fatalisht nga automjeti që drejtohej nga i moshuari.
Policia njoftoi se menjëherë pas aksidentit, shoferi i dyshuar u shoqërua në komisariat dhe, pas verifikimeve, u arrestua në flagrancë. Hetimet mbi shkaqet e ngjarjes vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të kryejnë ekspertiza të detajuara për të përcaktuar dinamikën e saktë të aksidentit.






