Pamje të rënda nga provinca Hormozgan tregojnë kamionë që transportojnë arkivolët e 165 viktimave, shumica prej tyre vajza të shkollës fillore “Shajareh Tayyebeh”, e cila u shkatërrua plotësisht nga një goditje ajrore të shtunën në jug të vendit.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka shkaktuar reagime të menjëhershme ndërkombëtare. Nga Uashingtoni, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se forcat amerikane “nuk do të shënjestronin kurrë qëllimisht një shkollë”, duke shtuar se po hetohet nëse goditja është kryer nga forcat e SHBA-ve apo nëse bëhet fjalë për një pasojë të paqëllimtë të operacioneve ushtarake.
Organizata ndërkombëtare kanë dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar si shkelje serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare, e cila ndalon shënjestrimin e objekteve civile, përfshirë institucionet arsimore, gjatë konflikteve të armatosura.
Ndërkohë, në Iran është shpallur zi, ndërsa tensionet në rajon mbeten në nivele kritike, mes akuzash të ndërsjella për krime lufte dhe shënjestrim të civilëve.






