Ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi, vetëm 40 vjeç, ka tronditur botën e artit dhe publikun shqiptar. Por pas dhimbjes së madhe, del në pah një detaj rrëqethës: fati tragjik i Shpatit duket se ka prekur një gjeneratë më parë familjen e tij, duke përsëritur historinë e humbjes së babait të tij në moshë të vogël.
Gazetari nga Maqedonia e Veriut, Tiron Alili, zbuluar për “Vip Magazine”, tregoi se Shpati kishte humbur babain kur ishte vetëm 13 vjeç, duke u rritur vetëm në krahët e nënës. Sot, historia përsëritet tragjikisht për djalin e tij, Roelin, i cili mbetet pa të atin pas ndarjes së parakohshme të Shpatit.
Pak javë më parë, në intervistën e tij të fundit për emisionin “1 Kafe me Labin” në RTV21, Shpati foli me ndjenjë dhe mall për jetën dhe për humbjen e babait:
“Me babin do të kisha dashur një përqafim të fortë, pastaj një kafe… Kam qenë shumë i vogël. Ai ishte i veçantë.”
Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për familjen dhe të afërmit:
“Selvijes që më ke bërë Roelin dhe që je shumë e mirë… mamit, motrës, vëllait dhe shumë njerëzve që më kanë bërë të ndihem mirë… ju falënderoj, por kurrë nuk mund t’ua kthej.”
Duke folur për të birin, Shpati tregoi dëshirat e thjeshta, por të sinqerta të një babai:
“Roelin mund të mos bëhet këngëtar, por të bëhet sportist.”
Fjalët e tij sot tingëllojnë edhe më prekëse, duke marrë parasysh tragjedinë që goditi të atin dhe më pas të birin, duke lënë një zbrazëti të madhe në zemrat e familjes dhe publikut.






