Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, pasi trupi i pajetë i 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, u gjet i futur në një valixhe në një zonë pyjore në Poli, afër Romës.
E reja, e cila ishte studente dhe jetonte në zonën Furio Camillo të Romës, ishte shpallur e zhdukur që më 25 mars. Prindërit dhe shoqet e saj kishin denoncuar zhdukjen në polici, pasi nuk kishin mundur ta kontaktonin.
Mediat italiane raportojnë se Ilaria ishte larguar pas ndarjes me të dashurin e saj, me origjinë filipinase, i cili tashmë është ndaluar nga policia si i dyshuar kryesor për ngjarjen.
Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e krimit, ndërsa i dyshuari pritet të merret në pyetje nga autoritetet.