16.5 C
Tiranë
Sunday, September 22, 2024
spot_img

“Turp dhe faqja e zeze” Reagon PD për heqjen e mandatit të Fredi Belerit si Kryetar i Bashkisë së Himarë

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso, ka reaguar me një deklaratë të ashpër pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Himarës. Kaso akuzon se Beleri u “ekzekutua” politikisht pasi ishte mbajtur peng juridikisht për 14 muaj. Deklarata e Kasos akuzon qeverinë e Edi Ramës për përdorimin e institucioneve për qëllime politike dhe shpreh pakënaqësinë për vendimet e shpejta të KQZ dhe Presidentit që dërguan Himarën në zgjedhje të parakohshme.

PD e dënon ashpër këto veprime si shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, duke e cilësuar situatën si një akt antikushtetues. Partia bën thirrje për protesta më 11 korrik kundër kësaj ngjarjeje, duke e vlerësuar si një shembull të abuzimit të pushtetit nga ana e qeverisë aktuale.

Turp e faqja e zezë!

Komisioneri i Zgjedhjeve është në shkelje flagrante të ligjit nr. 138/2015 dhe Vendimit të Kuvendit nr. 17/2016 ku përcaktohet se: verifikimi i kushteve të zgjedhshmërisë nga KQZ bëhet vetëm mbi bazën e të dhënave të vetdeklarimit të kandidatit në momentin e paraqitjes së kandidaturës. Komisioneri i ka verifikuar të dhënat e formularit të dekriminalizimit të Fredi Belerit dhe ka marrë vendimin nr. 611 datë 25.05.2023 për vlefshmërinë e mandatit të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Rrethana dhe fakte të ndodhura pas plotësimit të formularit të vetëdeklarimit nuk janë kompetencë e KQZ, por e organeve të tjera kushtetuese.

Fredi Beleri duhej të betohej dhe të merrte mandatin, dhe më pas mund të shkarkohej nga Edi Rama, siç parashikon edhe Kushtetuta, neni 115 i saj, apo neni 62 i ligjit nr. 139/2015.
Vendimi i Komisionerit, përveçse i paprecedent dhe pa asnjë bazë ligjore, nuk është i ekzekutueshëm. Neni 133 i ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative” parashikon që efektet e aktit administrativ pezullohen deri në shqyrtimin e ankimit. Komisioneri nuk referon në asnjë ligj i cili e bën të ekzekutueshëm menjëherë vendimin e tij administrativ.

Thënë shkurt, kryetarit të zgjedhur të Himarës nuk i është dhënë as e drejta e apelimit të vendimit.

Antikushtetues është edhe Dekreti i Presidentit. Sipas nenit 10/3 të Kodit Zgjedhor Presidenti shpall zgjedhjet e parakohshme pasi ka kaluar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar. Presidenti ka zbatuar një akt administrativ që nuk ka filluar efektet pasi nuk ka mbaruar afati i ankimit të subjektit të shkarkuar, madje pa filluar ende afati i ankimi.
Ky rast bën edhe autopsinë e kufomës së Republikës, duke filluar nga SPAK, gjykatat, KQZ, qeveria dhe Presidenti. Mund ta balsamosin sa të duan me propaganda, me koncerte vere dhe me turizëm orbital, por kufoma qelbet. Partia Demokratike e dënon ashpër vendimin e KQZ dhe dekretin e Presidentit, të dy në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Ligji nuk është opsional dhe kësisoj të gjithë ata që e trajtojnë si të tillë do të përgjigjen para vetë ligjit.
Kush e sheh këtë rast si nëpërkëmbje të Fredi Belerit apo të opozitës, e ka gabim. Kur të gjithë heshtim për padrejtësitë ndaj dikujt, në një shtet si të Edi Ramës, i vjen radha gjithkujt.

Prandaj ju bëjmë thirrje të bashkohemi në protestë të enjten më 11 korrik ora 20.00.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT