Princesha e Norvegjisë, Mette-Marit, ka shprehur publikisht pendesën e saj për miqësinë e dikurshme me financierin amerikan Jeffrey Epstein, duke deklaruar se ishte manipuluar dhe mashtruar.
Në një intervistë për transmetuesin publik norvegjez NRK, ajo pranoi se do të donte të mos e kishte takuar kurrë Epstein dhe theksoi se nuk kishte verifikuar siç duhet të kaluarën e tij. “U manipulova dhe u mashtrova”, u shpreh princesha, duke e cilësuar këtë si një gabim serioz në vlerësim.
Ajo sqaroi gjithashtu se marrëdhënia me Epstein kishte qenë thjesht miqësore dhe jo e një natyre tjetër. Sipas saj, kontaktet mes tyre kanë zgjatur nga viti 2011 deri në vitin 2014, ndërsa në vitin 2013 ajo kishte qëndruar për disa ditë në një nga rezidencat e tij në Palm Beach.
Princesha theksoi se gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë dëshmitare e ndonjë aktiviteti të paligjshëm, por pranoi se mungesa e kujdesit për të verifikuar të kaluarën e Epstein ishte një gabim që e pendon sot.
Deklarata e saj vjen në një moment kur lidhjet e figurave publike me Epstein vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke nxitur reagime dhe kërkesa për transparencë.






