Zëdhënësi i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), gjenerali Ali Mohammad Naini, është vrarë, sipas mediave shtetërore iraniane.
Agjencia Tasnim raportoi se Naini u shpall “martir”, ndërsa televizioni shtetëror bëri të ditur se ai humbi jetën gjatë një prej valëve të fundit të sulmeve ajrore që goditën qendrat strategjike të komandës në Teheran dhe rajonin Karaj.
Naini, i cili mbante gradën gjeneral major dhe ishte emëruar zëdhënës i IRGC-së në korrik 2024, ishte bërë një nga figurat më të njohura publike të strukturës ushtarake iraniane, sidomos në javët e fundit të përshkallëzimit të konfliktit. Ai kishte paralajmëruar vazhdimisht për hakmarrje ndaj veprimeve të SHBA-së dhe Izraelit.
Rrethanat e sakta të vrasjes së tij nuk janë sqaruar ende zyrtarisht, ndërsa zhvillimi vjen në një moment kur sulmet po synojnë drejtpërdrejt udhëheqjen dhe infrastrukturën ushtarake të Iranit.






