Ekuador pësoi një valë të dhunës, përfshirë një sulm ndaj një kanali televiziv nga burra të armatosur, gjë që e shtyu presidentin Daniel Noboa të shpallte 22 grupe kriminale si organizata terroriste. 13 burra të armatosur u arrestuan për pushtimin e kanalit televiziv, ndërsa oficerë policie u morën peng dhe raportohet se pati shpërthime në disa zona të vendit.
Presidenti Noboa shpalli gjendje të jashtëzakonshme 60-ditore dhe pohoi se Ekuador po përballet me “një konflikt të armatosur të brendshëm”. Ai shpalli organizata terroriste grupet kriminale, përfshirë Los Choneros, pasi dhuna shpërtheu si rezultat i planetit për një burg të ri të sigurisë së lartë dhe zhvendosjen e liderëve të grupeve kriminale aty.
“Ngjarjet e sotme tregojnë se veprimet dhe vendimet e Qeverisë kombëtare janë duke ndikuar rëndë ndaj strukturave kriminale, dhe si përgjigje ata e kanë shkaktuar një valë të dhunës për ta frikësuar popullin”, tha admirali Jaime Vela, i cili e udhëheq komandën e përbashkët të Forcave të Armatosura të Ekuadorit.
Të gjitha grupet e përmendura në dekretin e Noboas tani janë cak i ushtrisë ekuadoriane, tha Vela.
Zhvendosja nëpër burgje e liderëve të mëdhenj ka nxitur dhunë historikisht. Qindra të burgosur janë vrarë në vitet e fundit.
Disa ekuadorianë kanë filluar të dyshojnë në përpjekjet e Noboas për ta vënë nën kontroll dhunën.
Vdekjet si pasojë e dhunës në gjithë vendin u rritën në 8.008 në vitin 2023, tha Qeveria, gati dyfish më shumë se numri prej mbi 4.500 në vitin 2022