Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën se marrja e detyrës si kryetare e shtetit pesë vjet më parë nuk përfaqësonte kulmin e karrierës së saj, por vetëm një fillim të ri. Fjalët e saj u bënë gjatë një aktiviteti në kuadër të Javës së Gruas në Prishtinë, pak ditë para përfundimit të mandatit të saj.
“Kur e mora detyrën pesë vite më parë, nuk e pash si kulm të rrugëtimit tim, por si fillim. Ishte momenti kur filloi përgjegjësia, dhe pushtetin nuk e mora si privilegj, por si shërbim,” tha Osmani.
Presidentja theksoi se gjatë këtij pesëvjeçari u forcuan institucionet dhe u zgjerua hapësira për pjesëmarrjen e grave. Megjithatë, ajo përmendi edhe fushatën baltosëse që u zhvillua kohët e fundit pas shpërndarjes së Kuvendit me dekret presidencial. “Kur propaganda mund të kthejë dikë brenda natës si tradhtare, atëherë e tërë demokracia është në rrezik,” paralajmëroi Osmani, pa përmendur emra specifikë.






