Strasburg – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ngritur akuza të forta gjatë pjesëmarrjes në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke vënë në pah shqetësime të thella për situatën politike dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.
Në një intervistë televizive, Vokshi theksoi se vendi është duke u shndërruar në një “autokraci elektorale tashmë të vendosur”, një përshkrim që gjen mbështetje edhe tek institucionet ndërkombëtare, si V-Dem Institute. Sipas saj, në një regjim të tillë, pavarësisht se formalisht funksionojnë shumë parti dhe zhvillohen zgjedhje, opozita përballet me ndjekje dhe arrestime sistematike.
Deputetja u shpreh se delegacioni i PD-së ka dokumentuar këto shqetësime pranë partnerëve ndërkombëtarë, duke kërkuar vëmendje dhe mbështetje për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.






