Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kritikuar vendimin e Bashkimit Evropian për të reduktuar përdorimin e energjisë bërthamore në prodhimin e energjisë elektrike, duke e konsideruar atë një gabim strategjik. Ajo theksoi se blloku mbetet i varur nga importet e naftës dhe gazit, të cilat shpesh janë të shtrenjta dhe të paqëndrueshme.
Gjatë Samitit të Energjisë Bërthamore në Paris, von der Leyen nënvizoi rëndësinë e energjisë me çmime të përballueshme, si për qytetarët, ashtu edhe për konkurrueshmërinë e industrisë evropiane. “Robotika dhe inteligjenca artificiale do të nxisin valën e ardhshme të inovacionit dhe produktivitetit në të gjithë sektorët industrialë. Të dyja kërkojnë një bollëk energjie elektrike me çmime të përballueshme”, tha ajo.
Sipas presidentes, BE-ja ka bërë përparime të mëdha në zhvillimin e energjisë së rinovueshme gjatë dekadës së fundit, por roli i energjisë bërthamore ka pësuar tkurrje. Në vitet ’90, rreth një e treta e energjisë elektrike në BE prodhohej nga centralet bërthamore, ndërsa sot kjo shifër ka rënë në rreth 15 për qind.
Von der Leyen shtoi se Bashkimi Evropian ka burime të konsiderueshme energjie me karbon të ulët, si ajo bërthamore dhe energjia e rinovueshme, të cilat mund të garantojnë pavarësinë energjetike, sigurinë e furnizimit dhe konkurrueshmërinë ekonomike, duke adresuar sfidat e krizave gjeopolitike dhe varësisë nga importet.





