Në Gjykatën e Fierit është zhvilluar sot seanca për vrasjen e 57-vjeçarit Anesti Rama, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 23 korrikut në fshatin Frashër. Dy të akuzuarat kryesore, Valbona dhe Emalinda Rama (nënë e bijë), kanë mohuar çdo përfshirje në krim, duke deklaruar se “ne e gjetëm të vdekur, nuk dimë asgjë kush e ka vrarë”.
Avokati i tyre tha se deklarimet e dhëna gjatë hetimeve kanë qenë kontradiktore me ato të dhëna sot në gjykatë dhe kërkoi që të dyja të shtrohen për ekzaminim psikiatrik.
“Gjatë këtyre pesë ditëve, ato kanë ndryshuar disa herë version. Sot e mohuan plotësisht përfshirjen në vrasjen e Anesti Ramës”, u shpreh mbrojtësi ligjor.
Sa i përket dyshimeve për një lidhje intime midis Emalindës dhe të akuzuarit tjetër, Çlirim Dogani, avokati deklaroi: “Emalinda është e çekuilibruar dhe i mohon qëndrimet e saj disa herë. Pretendimi i saj i fundit është se ka kryer marrëdhënie me atë shtetas një vit përpara. Dogani ka pohuar se i njihte vetëm si pasagjere autobusi në linjën Arapaj-Fier”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën për ekzaminimin psikiatrik të të dyja të akuzuarave.






