-1.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Vrasjet e pazbardhura/ DW: Cilat janë 22 gratë e vrara në Holandë, Belgjikë e Gjermani?

Kjo fushatë në Gjermani mbështetet edhe nga emisioni i njohur televiziv “Aktenzeichen XY…ungelöst” në të cilin që nga viti 1967 janë rikonstruktuar rastet e krimeve të pazbardhura dhe tani vrasjet e gjashtë viktimave të gjetura në Gjermani. Edhe pse ende asnjë grua nuk është identifikuar, ka gjithnjë e më shumë të dhëna.

“Që nga nisja e fushatës janë pranuar më shumë se 500 mesazhe, disa prej të cilave përmbajnë informacione të vlefshme. “Të gjitha këto raste të pazgjidhura mund të kenë një sfond ndërkombëtar, për shembull, që gratë nuk janë nga vendi ku u gjet trupi, ose mund të kenë qenë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, kumtoi Interpoli.

Identifikimi i viktimave

Informatat nga qytetarët arrijnë edhe tek organet e hetimit, tha për DW, Anja Allendorf nga policia gjermane. Krimet e pazgjidhura si këto, disa prej të cilave janë disa dekada të vjetra, quhen “raste të ftohta”. Por hetuesit shpesh arrijnë të gjejnë gjurmë të reja edhe pse duket sikur ka kaluar një përjetësi nga krimi.

Një i dyshuar u arrestua së fundmi në Schweinfurt – 45 vjet pas vrasjes së një 18-vjeçari. Për rastet e grave të panjohura të përfshira në këtë fushatë, kjo do të thotë: nëse ato identifikohen, do të jetë çelësi për zbulimin e autorëve, thotë Allendorf.

“Identifikimi i viktimës është sigurisht gjëja kryesore. Vetëm atëherë mund të nisin hetime të mëtejshme në lidhje me krimin apo autorin. Vetëm atëherë dihet se nga vjen gruaja, ku mund të ketë qenë në momentin e veprës penale, në cilin mjedis ka jetuar apo punuar”, shpjegon Anja Allendorf.

Fushata fokusohet në identifikimin e viktimave

Policia gjermane supozon se gratë e vrara vijnë nga Evropa Lindore, Afrika apo Azia dhe se pjesën më të madhe të jetës nuk e kanë kaluar në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani.

Fakti që ato nuk janë në listën e personave të zhdukur për Allendorfin është një tregues i qartë se ato nuk kanë pasur kontakte intensive në këto vende evropiane. Ajo thekson se fokusi i fushatës tani për tani nuk është hetimi, por identifikimi i viktimave.

“Nuk duhet të harrojmë se identifikimi i viktimave nënkupton edhe informimin e të afërmve. Për ne është një kriter shumë i rëndësishëm që familjet të kenë mundësi të përballen me këto krime për këto gra, nëna apo vajza dhe që viktimat të mos futen në varre pa emër. E gjithë kjo nuk ka ndodhur ende”.

Mundësi të reja teknologjike

Fakti që “rastet e ftohta” mund të zgjidhen edhe pas disa dekadash ka të bëjë me mundësitë e reja teknologjike. Me këtë fushatë, viktimat nga Gjermania më në fund fituan fytyrën – të ashtuquajturat rindërtime të indeve të buta të fytyrës u bënë duke përdorur mbetjet e gjetura në institute shumë të specializuara. Në këtë mënyrë, publiku mund të njohë viktimat.

Ka dhe analiza të ADN-së. “Që nga fundi i viteve 80, ne kemi qenë në gjendje të marrim ADN-në nga indet e dhëmbëve dhe kockave dhe të krijojmë një profil të personit të vdekur. “Që nga viti 1992, baza jonë e të dhënave përmban profile të ADN-së të personave të zhdukur dhe kufomave të paidentifikuara,” thotë Allendorf. Profilet e ADN-së dërgohen në bazën ndërkombëtare të të dhënave të ADN-së të Interpolit në Lion. “Në këtë mënyrë ne mund të përcaktojmë nëse profili i ADN-së së një kufome përputhet me atë të personit të zhdukur.”

Viktima është identifikuar edhe pas më shumë se gjysmë shekulli

Në SHBA ka shkaktuar bujë së fundmi rasti i një gruaje të vrarë, identiteti i së cilës është zbardhur pas më shumë se gjysmë shekulli. Eshtrat e saj u gjetën në Florida në vitin 1969 në një valixhe të madhe të zezë, të mbështjellë në një qese të madhe plastike. Kur hetuesit rihapën hetimin dhe gjetën një mostër flokësh që nuk ishte analizuar kurrë, ata e identifikuan atë si Sylvia June Atherton. I gjetën edhe të afërmit e saj të gjallë.

Lajme të tilla inkurajojnë Anja Allendorf: “Ne arritëm publicitetin më të madh të mundshëm me fushatën e filluar. Tani ndoshta edhe pas gjithë kësaj kohe do të dalë dikush që di diçka për këto raste. Ndoshta kështu marrim informacionin kyç, në mënyrë publike apo dhe anonime. Kjo do të shpaguante të gjithë mundin që po investojmë në këtë fushatë”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT