Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se rendi botëror ka pësuar një goditje të rëndë pas operacionit amerikan në Venezuelë që përfundoi me arrestimin e presidentit Nicolás Maduro. Pas një seance urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç akuzoi Shtetet e Bashkuara për shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëroi për rritje të rrezikut në rajon.
“Pas asaj që ndodhi në Venezuelë, është plotësisht e qartë se Karta e Kombeve të Bashkuara nuk funksionon më. Bota sot udhëhiqet nga ligji i forcës dhe nga ai që është më i fortë,” u shpreh presidenti serb.
Sipas Vuçiçit, zhvillimet e fundit tregojnë se shtetet e vogla nuk mund të mbështeten më tek rendi ndërkombëtar për sigurinë e tyre.
“Ne mund të mbështetemi vetëm tek vetja jonë. Askush nuk do të luftojë për Serbinë. Forca jonë është garancia e vetme për paqen,” theksoi ai.
Presidenti serb shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për situatën në Ballkan, duke akuzuar Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë për krijimin e një aleance ushtarake që, sipas tij, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë.
“Jemi veçanërisht të shqetësuar për armatimin e mëtejshëm të Prishtinës, në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244, e cila është pezulluar de facto, por jo de jure, nga fuqitë e mëdha. Ato po e armatosin me shpejtësi Prishtinën,” deklaroi Vuçiç.
Ai shtoi se një kërcënim i veçantë për sigurinë e Serbisë është bashkëpunimi gjithnjë e më i ngushtë mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit. Sipas tij, kjo aleancë po shtrihet në një gamë të gjerë fushash, nga zhvillimi i përbashkët i automjeteve ushtarake deri te sistemet dhe armët më të sofistikuara.
Në përfundim, Vuçiç paralajmëroi se Serbia do të dyfishojë fuqinë e saj ushtarake brenda një viti e gjysmë dhe se po përgatitet për çdo skenar të mundshëm në rajon.
“Do të forcojmë ndjeshëm kapacitetet tona ushtarake. Serbia do të jetë më e fortë se çdo agresor potencial,” përfundoi ai.






