15.5 C
Tiranë
Thursday, September 19, 2024
spot_img

Zbulohet plani për atentatin ndaj ish-Prokurorit Arjan Ndoja: SPAK dërgon për gjykim anëtarët e grupit kriminal

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka zbardhur të plotë tentativën për vrasjen e ish-prokurorit Arjan Ndoja në 2019. SPAK ka dërguar për gjykim anëtarët e grupit të strukturuar kriminal që kishin planifikuar vrasjen. Përveç Redjan Rrajës që është dënuar me burg për jetë dhe Arjol Halilaj i dënuar me 35 vite burg, SPAK dërgoi për gjykim 9 persona, mes tyre porositësi Plaurent Dervishaj dhe Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialit Rrahman Rraja.

Pjesa më e madhe e dërguarve për gjykim janë ish-anëtarë të bandës së Durrësit, konkretisht, Julian Meçaj, Amar (Dritan) Shkëmbi, Endrit Sinani, Bledar Polovina, Genti Nderjaku (Kili), Bashkim Haxhiaj dhe Julian Pjetri.

Prokuroria e Posaçme zbardhi atentatin pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC”, si edhe dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani. Por, në njoftimin e SPAK zbulohet se grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar edhe 2 plane të tjera për të vrarë prokurorin Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahon (Pëllumb Muharremin). Një plan ishte planifikuar para atij të 1 nëntorit 2019 dhe pasi Ndoja dhe ‘Rrumi i Shijakut’ i shpëtuan atentatit në mbikalimin e Shkozetit, grupi i Plaurent Dervishaj kishte planifikuar një tjetër plan për t’i hequr qafe edhe pas 1 nëntorit 2019. Por, këto dy plane nuk u konkretizuan, por SPAK i ka zbuluar vetëm pas zbërthimit të bisedave. I vetmi plan që u vu në jetë ishte më 1 nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku grupi i Dervishajt qëlloi me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë. Pasi i vranë të birin, grupi i Dervishajt donte të vriste edhe babanë e Andi Malokut, Geni Malokun, i cili kërkonte drejtësi. Po ashtu në shënjestër, sipas SPAK kishin vënë edhe vëllanë e Rrumit të Shijakut, Vullnet Muça (alias Muharremi).

Dervishaj e donte kokën e Rrumit të Shijakut, Aleksandër Laho, sepse dyshonte se ai kishte organizuar sulmin me armë ndaj tij dhe dy miqve, Julian Meçes Bashkim Haxhisë në 20 qershor 2019. Por mbetet e paqartë se pëse donte të vriste edhe ish-prokurorin Ndoja, i cili shoqërohej me një person me precedent penal si Laho. SPAK thotë se ka evidentuar rolet e secilit prej të pandehurve, si organizatorë, financues, ekzekutorë dhe ndihmës në këto ngjarje. Të pandehurit kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura).

Grupi i Plaurent Dervishaj kishte arritur që të depërtonte edhe në të dhënat e sistemit TIMS, ku merrnin informacione mbi lëvizjet e ish-prokurorit Ndoja dhe Rrumit të Shijakut. Ende muk bëhet e ditur se kush janë personat që e k andihmuar këtë grup për të marrë të dhënat, nëse ka apo jo të përfshirë nga radhët e Policisë së Shtetit, por po kryhen hetime në një dosje të veçuar.

“Të pandehurit ka rezultuar se kanë ngritur infrastrukturën e nevojshme me qëllim ekzekutimin e personave të targetuar për t’u vrarë, duke siguruar armët e zjarrit, automjetet dhe targat (e vjedhura) që do të përdornin për të ndjekur viktimat, të cilët nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre, kanë mundur që të sigurojnë informacione për lëvizjet e tyre edhe nga bazat e të dhënave shtetërore”
, njofton SPAK.

Përpos kësaj, pasi SPAK zbardhi tentativën për të vrarë prokurorin në 2019, grupi i Dervishajt u kishte kërkuar të arrestuarve që të mos zbulonin detaje të tjera dhe mos të implikonin bashkëpunëtorët në krime duke iu premtuar se do t’u lehtësojnë pozitat në përballjen me drejtësinë.

“Nga aktet e administruara ka rezultuar e provuar se të pandehurit janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, kundrejt garancisë që këta të fundit të mos i implikonin bashkëpunëtorët e irë në këto krime”, njofton SPAK.

Koka e këtij grupi, Palurent Dervishaj dyshohet se fshihet në Dubai bashkë me Amar Shkëmbin, ndërsa Julian Meçaj është i arrestuar në Dubai dhe Bledar Polovina i arrestuar në SHBA. 5 anëtarë të grupit janë në pranga në vendin tonë, Ramazan Raja, Genti Ndërjaku, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija, ndërsa hetimet janë pushuar për Marsel Deçka.

Gjatë hetimeve SPAK ka zbardhur edhe një ngjarje tjetër kriminale ku dalin të përfshirë anëtarët e këtij grupi, të cilët i kanë vendosur tritol hotelit të babait të Ervin Matës. Ndërsa, Genti Nderjaku gjatë harkut kohor 04.09.2020 – 30.01.2021, ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Mitri Prifti, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar. SPAK njofton se ka veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në këto ngjarje kriminale.

Sa i takon tritolit të vendosur në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të Luan Matës, babai i Ervin Matës, SPAK ka marrë të pandehur Ramazan Rrajën, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj. Prokuroria e Posaçme thotë se Ramazan Rraja ka siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive më datë 30.05.2020, ora 22:35.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT