Tirana zyrtare, nëse Konferenca e Parë Ndërqeveritare ngelet në ngërç, do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut dhe hapjen e negociatave menjëherë, duke qenë se kushtet janë plotësuar.
Ka qenë kjo kërkesa e popullit shqiptar – e shprehur në procesin e Këshillimit Kombëtar me 67% të votave pro – për të ndarë Shqipërinë nga fqinja e saj në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.
Por, unioni mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij.
Ana Pisonero, zëdhënësja e shtypit për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë pranë BE-së, në një përgjigje për Albanian Post (AP), shkruan se, “qëndrimi i BE-së mbetet i qartë”.
“Presim me padurim nisjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit me të dyja vendet, me mbajtjen sa më të shpejtë të Konferencave të Para Ndërqeveritare”, shkruan ajo.
Pisonero shton se, Këshilli Evropian vendosi në mars të 2020-ës të hapte negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të dyja vendet kishin plotësuar detyrat duke e merituar këtë.
Zëdhënësja e BE-së ka edhe një mesazh për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ajo shprehet se unioni i inkurajon të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme reciproke për çështjet e mbetura pezull.
Zyrtarë të lartë të BE-së kanë ravijëzuar se të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, por veto-ja bullgare ndaj MV-së mbetet penalizuese.
Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, u shpreh se Shqipëria do të kërkojë ndarje nga MV-ja.
Ai e paralajmëroi në dhjetor të vitit të kaluar se, nëse Bullgaria do të vazhdojë të vërë veton, “do të fillojmë hapur të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia e Veriut”.
Numri një i Qeverisë shqiptare e ka cilësuar këtë si një fazë absurde të bllokimit të Maqedonisë nga Bullgaria.
Pse u vendos veto-ja?
Vitin e kaluar, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, la të kuptohej se unioni mund t’i çelë negociatat vetëm me Shqipërinë, nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidh ngërçin me Bullgarinë.
Përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u bllokua më 22 qershor, për shkak të vetos së Bullgarisë, për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Kushtet e Bullgarisë përfshijnë refuzimin e qartë të Republikës së Maqedonisë Veriore nga pretendimet territoriale, të pakicave dhe historike ndaj Bullgarisë.
Sakaq, ata kërkojnë ndryshimin e mbishkrimeve apo monumenteve që nxisin urrejtjen ndaj Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Këto dy shtete kanë pasur konflikte të hershme historike. Tensionet mes vendeve u rritën vitin e kaluar.
Kjo erdhi pas vendosjes së vetos nga pala bullgare për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe MV-së.
Kjo për shkak të dështimit të qeverisë së Shkupit për të adresuar shqetësime të caktuara të identitetit.
Bullgaria kërkoi që termi “gjuhë maqedonase” të mos përdoret në asnjë dokument negociues të BE-së, pasi ajo e konsideron gjuhën si një dialekt bullgar.
Së dyti, Bullgaria i ka kërkuar MV-së të “pranojë” origjinën bullgare të kombit maqedonas, pasi nuk “ekziston” një komb i veçantë maqedonas.
Sipas shtetit bullgar, ky i fundit është vetëm një krijim “artificial” i komunistëve jugosllavë si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.
Sofja zyrtare këmbëngul që Shkupi të heqë dorë nga pretendimi i tij për njohjen zyrtare të pakicës maqedonase në Bullgari.