Krahas afatit të aplikimit, shtyhet me 7 muaj edhe afati për pagesat. Ashtu siç u paralajmërua pak ditë më parë, qeveria ka zyrtarizuar vendimin për zgjatjen deri në fund të muajit prill të afatit të rivlerësimit të shtëpive dhe pronave me 3 për qind.
Kreu i Kadastrës, Artan Lame, tha se veç kësaj, është shtyrë deri në fund të muajit korrik afati për pagesat nga ana e qytetarëve.
Në ligjin bazë përcaktohej që në të njëjtën ditë me aplikimet, të përmbyllej edhe afati i pagesave.
Kjo bënte që një pjesë e qytetarëve të qëndronin jashtë procesit duke qenë se nuk kishin shlyer detyrimin financiar. Përmes këtyre ndryshimeve, atyre iu krijohet mundësia që të kenë afat deri në fund të muajit korrik për të kryer pagesën.
“Qeveria shqiptare, përmes një akti normative, miratoi zgjatjen e afatit të rivlerësimit të pronave nga 31 dhjetori i 2021-shit deri në 30 prill 2022. Ky proces, që duhej të përfundonte në fund të këtij viti, në fakt ka dhënë rezultate në muajt e fundit, nëpërmjet shtimit të dukshëm të aplikimeve në portalin ‘e-Albania’. Kjo është edhe një nga arsyet kryesore të shtyrjes së këtij afati. Kjo zgjatje afati ka edhe një risi tjetër që është në favor të qytetarëve. Në ligjin bazë afati i aplikimeve të qytetarëve dhe i pagesave për procesin mbyllej në të njëjtën ditë. Kjo do të thotë që në fund të këtij mbeteshin një pjesë e qytetarëve, që megjithëse kishin aplikuar, nuk merreshin në shqyrtim, pasi ishte mbyllur edhe afati i pagesave. Me ndryshimet e bëra, afati i aplikimeve zgjatet deri në datën 30 prill të 2022 dhe pas kësaj ka një afat 3-mujor ku mund të bëhet pagesa e rivlerësimit nga ana e qytetarëve. Rikujtoj edhe një herë se afati i pagesave është deri në korrik të 2022-shit”, tha Lame.
Në harkun e dy viteve janë regjistruar rreth 60 mijë aplikime për rivlerësim, nga të cilat, 29 450 përgjatë vitit 2020 dhe pjesa tjetër përgjatë këtij viti, pa përfshirë muajin dhjetor.
“Tjetër arsye e shtimit të aplikimeve është edhe mbarëvajtja e procesit të legalizimeve. Vetëm legalizime për vitin 2021 janë rreth 23,000 familje, të cilat janë kontingjent shtesë që futen në procesin e rivlerësimit. Për periudhën e fundvitit iu drejtohemi qytetarëve të ulim fluksin e aplikimeve në ‘e-Albania’, për t’u dhënë mundësi emigrantëve të ardhur për festat e fundvitit të kryejnë procedura pranë nesh”, shtoi më tej kreu i Kadastrës.
TATIMI
Ulja e detyrimit tatimor, nga 15 për qind në 3 për qind për shtëpitë dhe 5 për qind për bizneset, përcaktuar në ligjin “Për disa ndryshime në ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, iu jep mundësi qytetarëve që të përditësojnë vlerën e pasurisë së tyre.
Në momentin e shitjes, vlera tatimore reduktohet disa herë më pak. Gazeta risjellë edhe sot në vëmendje çmimet për metër katror në Tiranë dhe 11 qarqe të vendit, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që të bëjnë vetë llogaritjet mbi atë që iu takon të paguajnë.
Konkretisht, nëse një familje që ka një banesë 100 metra katrorë në Tiranë me vlerë fillestare 3 211 300 lekë, nëse rivlerësohet, vlera e këtij objekti do të përcaktohet mbi bazën e çmimeve që janë sot në treg, dhe për Tiranën, çmimi për metër katror është 89 137 lekë. Në këto kushte, vlera e shtëpisë sot është 8 913 700 lekë. Tatimi llogaritet nga diferenca mes dy vlerave.
Pra (8 913 700 – 3 211 300) *3% = 171 072 lekë është tatimi që do të paguhet për përditësimin e vlerës së banesës.
Në kushte të tjera pra, qytetarët janë të detyruar të paguajnë 15 për qind të diferencës. Pra (8 913 700-3 211 300) *15%= 855 360 lekë, pra gati 6-fish më tepër.
Rivlerësimi iu vjen në ndihmë veçanërisht atyre familjeve që duan ta shesin apo ta lenë kolateral shtëpinë që kanë.
Pasi në kushte normale, detyrimi tatimor është 15 për qind e diferencës ndërmjet vlerës së shitjes dhe asaj që objekti është regjistruar në Hipotekë apo Kadastër. Nga kjo skemë përfitojnë edhe familjet që ende nuk e kanë marrë tapinë për banesën dhe tokën ku kanë ndërtuar pa leje.
Këto familje do të kenë mundësi po ashtu që të jenë pjesë e skemës së rivlerësimit, duke u taksuar me vetëm 3 për qind dhe jo 15 sa është detyrimi tatimor.
Por si do të veprohet në këto raste, pra si do të llogaritet detyrimi tatimor duke qenë se këto banesa nuk kanë një vlerë fillestare.
Nga Agjencia e Kadastrës është bërë e ditur më herët se për shtëpitë që janë në proces regjistrimi do të merret si referuese kostoja e ndërtimit në momentin që është dhënë leje.
Pra, do të shikohet sa është kostoja për metër katror në kohën që është dhënë leje e legalizimit. Ndërkohë, si bazë për rivlerësimin do të shërbejnë çmimet minimale fiskale që aplikohen për zonën kadastrale në të cilën ndodhet banesa.