Partia Demokratike e Shqipërisë ka shpallur nisjen e procesit të brendshëm zgjedhor dhe organizativ, në kuadër të përfundimit të mandateve katërvjeçare të strukturave drejtuese në maj 2026.
Udhëzimet janë firmosur nga kryetari Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, të cilët kërkojnë që procesi të jetë i rregullt, transparent dhe në përputhje me statutin e partisë.
Sipas vendimit, zgjedhjet do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, duke përfshirë drejtuesit e seksioneve, grupseksioneve, degëve dhe kryesitë përkatëse, ndërsa afati për përmbylljen e këtij procesi është caktuar deri më 30 prill 2026.
Në dokument theksohet se votimi duhet të respektojë parimet e zgjedhjeve të lira, të fshehta dhe demokratike, ndërsa strukturat lokale janë udhëzuar të nisin menjëherë përgatitjet për organizimin e procesit.






