Të dielën, më 11 maj, 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur 140 përfaqësuesit e tyre në Parlament për një mandat 4-vjeçar. Ndër ta, 114,642 janë votues për herë të parë.
Një risi e këtyre zgjedhjeve është përfshirja për herë të parë e Diasporës në votim. Janë 245,935 emigrantë shqiptarë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, megjithatë procesi nuk ka qenë pa probleme. Pjesa më e madhe e vështirësive është regjistruar në Greqi, ku ka pasur vonesa në dërgimin dhe kthimin e zarfeve postare.
Në garë janë 11 subjekte politike apo koalicione, secili me nga 186 kandidatë në listën e votimit. Nga këta, 46 emra konsiderohen si “të sigurt” për të fituar një mandat deputeti, bazuar në sondazhe dhe konfigurime të mëparshme elektorale.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00. Sipas Kodit Zgjedhor, ato mund të qëndrojnë të hapura edhe pas këtij orari, vetëm nëse do të ketë fluks votuesish në radhë. I njëjti orar mbylljeje vlen edhe për procesin e votimit në Diasporë: çdo zarf që do të mbërrijë pas orës 19:00, nuk do të konsiderohet i vlefshëm dhe nuk do të numërohet.
Fushata ka përfunduar dhe vendi ndodhet në heshtje zgjedhore, në pritje të një procesi që pritet të jetë vendimtar për drejtimin politik të vendit në katër vitet e ardhshme.