23.5 C
Tiranë
Tuesday, September 24, 2024
spot_img

Zgjedhjet Presidenciale në Meksikë:Një garë e ngushtë mes dy kandidateve femra

Në zgjedhjet e së dielës, Meksika mund të zgjedhë për herë të parë në historinë e saj një presidente grua. Ky proces zgjedhor shënohet nga një garë e fortë mes dy kandidateve kryesore: Claudia Sheinbaum dhe Xóchitl Gálvez.

Claudia Sheinbaum, ish-kryebashkiakja e kryeqytetit të Meksikës, kandidon për partinë Morena të udhëheqësit aktual, Andrés Manuel López Obrador. Sheinbaum ka premtuar të vazhdojë politikat populiste të Obrador-it, duke përfshirë programet sociale dhe një pension për të moshuarit, si dhe pagesa për të rinjtë praktikantë. Ajo kryeson garën dhe ka mbështetje të gjerë nga elektorati i partisë Morena.

Nga ana tjetër, Xóchitl Gálvez, ish-senatore dhe sipërmarrëse në fushën e teknologjisë, kandidon për një koalicion partish opozitare. Gálvez ka një histori të suksesshme të ngritjes nga shitja e ushqimeve në rrugë në ndërtimin e kompanive të saj të teknologjisë. Ajo ka kritikuar ashpër politikën e Presidentit López Obrador për shmangien e përballjes me kartelet e drogës dhe është zotuar se do të luftojë kriminelët në mënyrë më agresive.

Në zgjedhjet për të zëvendësuar presidentin në largim, López Obrador, janë regjistruar gati 100 milionë votues. Përveç presidentit, votuesit do të zgjedhin edhe guvernatorët në nëntë nga 32 shtetet e vendit, kandidatët për të dyja dhomat e Kongresit, mijëra kryetarë bashkie dhe drejtues të tjerë lokalë. Ky është procesi më i madh zgjedhor në vend, i shënuar nga dhuna.

Zgjedhjet shihen gjerësisht si një referendum për López Obrador, një populist që ka zgjeruar programet sociale, por nuk ka arritur të pakësojë dhunën e karteleve të drogës. Kushtetuta e Meksikës e ndalon rizgjedhjen e presidentit, ndaj López Obrador nuk mund të rikandidojë.

Partia Morena shpreson të fitojë rreth 2/3 në Kongres, shumica e nevojshme për rishikimin e Kushtetutës dhe për të shkrirë agjencitë mbikëqyrëse, që sipas kësaj force politike janë të pafuqishme dhe të kota. Opozita argumenton se një masë e tillë do të rrezikonte institucionet demokratike të Meksikës.

Ndërkohë, dhuna e vazhdueshme e karteleve dhe ekonomia janë shqetësimet kryesore të votuesve meksikanë. Pjesëmarrja duket të jetë e lartë, veçanërisht në kryeqytet, ku janë parë radhë të gjata votuesish që në hapje të qendrave të votimit.

Rezultati i zgjedhjeve pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në të ardhmen politike dhe sociale të Meksikës, ndërsa vendi përballet me sfida të mëdha si dhuna, korrupsioni dhe ekonomia.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT