Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me zhdukjen misterioze të Bleona Matës, ngjarje e cila prej vitesh ka trazuar mediat shqiptare dhe publikun. Sipas dokumenteve të siguruara nga Report.TV, dyshohet se vajza është rrëmbyer dhe është mbajtur peng për tre muaj në fshatin Llakatund të Vlorës.
Në daljet e saj televizive, nëna e Bleonës ka deklaruar se rrëmbimi dyshohet të ketë lidhje me persona me të cilët familja Mata ka pasur konflikte prej vitesh. “Çiftin nga Vlora nuk e njoh. Vetëm prindërit e vajzës i kam takuar në Zapot, ditën kur u zhduk Bleona. Ish-vjehrri im ka pasur konflikt me këtë familje dhe në maj të vitit 2010 i ka denoncuar në polici,” është shprehur Bukurie Veizi.
Së fundmi, në ekran u shfaq fotografia e vajzës së çiftit nga Vlora, që dyshohej se ishte Bleona. Megjithatë, nëna e Bleonës ka konfirmuar se tiparet fizike nuk përputheshin, por ka shtuar se dyshimet e saj për zhdukjen mbeten të njëjtat. “Tiparet nuk përputhen, por dyshimet e mia mbeten tek kjo familje,” deklaroi ajo.
Pavarësisht se kanë kaluar gati 16 vite nga zhdukja e vajzës, Bleona Mata vijon të jetë e zhdukur që nga 22 maji 2010, kur gjurmët e saj të fundit u humbën në malin Pikëllim, në zonën e Kukësit. Nëna e saj vazhdon kërkimet dhe apelon për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e së bijës, e cila në kohën e zhdukjes ishte vetëm 6-vjeçe.






