Madrid – Prej 12 ditësh, Spanja përballet me një valë të paprecedentë zjarresh, ku dhjetëra vatra në gjithë vendin janë jashtë kontrollit të zjarrfikësve. Një nga zonat më të prekura është Korporales në rajonin verior të Leonit, ku përveç forcave lokale po ndihmojnë edhe kolegë nga Franca.
Aktualisht, 23 vatra zjarri të mëdha janë aktive, ndërsa më e përhapura dhe më shkatërruese mbetet ajo në Orenses, në rajonin verior të Galicias. Kjo ka shkrumbuar mbi 44 mijë hektarë tokë, përfshirë dhjetëra banesa. Në të gjithë Spanjën, 228 zjarre kanë djegur mbi 380 mijë hektarë, një sipërfaqe ekuivalente me ishullin e Majorkës – niveli më i lartë në 30 vitet e fundit.
Për të përballuar emergjencën, mbi 3,400 zjarrfikës, përfshirë ushtarë dhe 50 mjete ajrore, por edhe efektivë nga vendet e tjera të Bashkimit Europian, janë angazhuar në luftën me flakët. Për fat të keq, zjarret kanë marrë jetën e 4 personave, ndërsa 37 të tjerë janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme.
Situata alarmante është përkeqësuar nga temperaturat mbi 40°C, ajri i thatë dhe erërat e forta, të cilat janë pasojë e ndryshimeve dramatike klimatike që kanë përfshirë të gjithë rajonin mesdhetar.
Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, 900 mijë hektarë pyje janë shkrumbuar këtë vit në kontinent, më shumë se dyfishi i mesatares vjetore, ndërsa Sllovakia ka thyer 10 herë rekordin historik të saj për zjarret. Situata e Spanjës shërben si një paralajmërim i qartë për efektet e rënda të krizës klimatike në Europë.






