Komisariati i Policisë në Shijak u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të shtune, duke shkaktuar një situatë emergjente. Zjarri ka shpërthyer në katin e dytë të ndërtesës dhe, siç shihet nga pamjet, ai ka arritur të dominojë të gjithë katin. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po ndërhyjnë intensivisht për të lokalizuar dhe shuar flakët.
Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të zjarrfikësve, është ende e paqartë sesi zjarri ka nisur në brendësi të Komisariatit, ndërsa forcat e policisë po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Hetimet për sqarimin e kësaj situate janë në proces.