23.7 C
Tiranë
Monday, August 17, 2026

1.1 ton kanabis dhe 23 mijë bimë/ Goditet plantacioni gjigant në Zvicër, në pranga një shqiptar dhe një kosovar

Një operacion i Policisë Kantonale të Zyrihut në Zvicër ka çuar në zbulimin e një plantacioni gjigant indoor kanabisi, me rreth 4 mijë metra katrorë sipërfaqe dhe afro 24 mijë bimë marihuane.

Ngjarja nisi në mars të vitit të kaluar, pas një informacioni dhe një hetimi të gjatë. Policia e Zyrihut kontrolloi në atë kohë automjetin e një gjermani 36-vjeçar, të cilit iu gjetën 30 mijë euro cash dhe katër telefona celularë të ndezur. Sipas autoriteteve, ai ishte vëzhguar më herët në Spreitenbach, në kantonin Aargau, teksa largohej nga një objekt biznesi.

Po atë ditë, policia e Zyrihut, e mbështetur nga kolegë të Aargaut, ushtroi kontroll në objekt. Brenda tij u zbuluan 23.918 bimë marihuane, hapësira për kultivim dhe tharje, si dhe pajisje teknike.

Në kuadër të operacionit u sekuestruan gjithashtu 1.106 kilogramë marihuanë të gatshme për shitje, dy armë zjarri, disa makina profesionale për numërimin e parave dhe 6.420 franga zvicerane.

Në objekt ndodheshin dy persona, të cilët u arrestuan. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga Kosova dhe një 29-vjeçar shqiptar.

Gjykata: Procedurën duhet ta drejtojë Aargau

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Federale Penale të Zvicrës, e cila në një vendim të publikuar së fundmi ka përcaktuar se kantoni Aargau duhet të drejtojë procedurën penale.

Prokuroria e Aargaut kishte tentuar t’ia kalonte çështjen kolegëve në Zyrih, të cilët kishin nisur hetimet. Nga ana tjetër, Prokuroria e Zyrihut argumentoi se “vendi i krimit” ishte plantacioni i madh indoor në Spreitenbach, pra në territorin e Aargaut.

Gjykata Federale Penale i dha të drejtë Aargaut, duke vlerësuar se “qendra e veprimeve kriminale” lidhur me plantacionin e kanabisit ndodhej në Spreitenbach.

Autoritetet kishin marrë informacion për plantacionin

Një element që ka tërhequr vëmendjen lidhet me faktin se autoritetet e Aargaut kishin marrë më herët informacione për kultivim të paligjshëm kanabisi në këtë objekt.

Në nëntor 2024, pas një informacioni anonim, autoritetet kishin arritur në përfundimin se nuk kishte “dyshim të mjaftueshëm për një vepër penale” dhe nuk e kishin vijuar çështjen.

Hetimi i mëvonshëm i Zyrihut zbuloi një aktivitet kriminal të përmasave të mëdha.

Përveç më shumë se një ton marihuanë, policia sekuestroi edhe mbetje bimësh të përdorura për prodhimin e polenit, dokumente, pajisje digjitale, para cash, armë dhe makina profesionale për numërimin e parave.

Sipas gjykatës, këto elemente krijojnë dyshimin se në Spreitenbach nuk zhvillohej vetëm kultivimi dhe përpunimi i kanabisit, por një “veprimtari e përgjithshme kriminale biznesi në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike”.

Drejtuesit e kompanisë ende në kërkim

Hetimi lidhet me një shoqëri aksionare në Spreitenbach, e cila dyshohet se shërbente si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.

Tre personat e arrestuar në mars, me shtetësi gjermane, kosovare dhe shqiptare, dyshohet se ishin pjesë e stafit operativ të aktivitetit kriminal.

Ndërkohë, personat që dyshohet se drejtonin aktivitetin nga nivelet drejtuese nuk u kapën gjatë operacionit. Administratorët e kompanisë janë shpallur në kërkim për t’u arrestuar, ndërsa nuk është bërë e qartë nëse janë ndaluar ndërkohë.

Rasti ka sjellë në vëmendje edhe një çështje tjetër të ngjashme në Zvicër, ku autoritetet kishin marrë informacione anonime për një aktivitet kriminal, por nuk kishin vepruar menjëherë. Edhe në atë rast, Gjykata Federale Penale përcaktoi kantonin që duhej të drejtonte procedurën bazuar në vendin ku ndodhej fokusi kryesor i veprimtarisë kriminale.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

“A kemi probleme me ujin në male?”/ Resortet e skive në Zvicër po mendojnë...

0
Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Evropën që prej muajit maj, të shoqëruara me thatësirë të zgjatur dhe zjarre të mëdha pyjore, po i shtyjnë...

“Shpirt luftarak të paepur”/ Xi Jinping rikthen Tiananmenin në vëmendje: Lavdëron vendimin për shtypjen...

0
Udhëheqësi kinez Xi Jinping i ka bërë thirrje popullit kinez të tregojë një “shpirt luftarak të paepur”, ndërsa ka vlerësuar edhe vendimin e Partisë...

“Kurti duhet ta kuptojë…”/ PDK bllokon hyrjen e Qeverisë dhe i bën thirrje kryeministrit...

0
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka protestuar sërish sot para godinës së Qeverisë, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive...

33 vatra zjarri në 24 orë, 8 vijojnë aktive! Forcat e Armatosura dhe avionët...

0
33 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 5...

Tërmeti 3.1 ballë lëkund Shqipërinë juglindore, ja ku ishte epiqendra

0
Një tërmet me magnitudë 3.1 është regjistruar mëngjesin e sotëm në juglindje të Shqipërisë. Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundjet janë regjistruar në orën 09:36:50, me...