Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD-së të thirrur prej tij, ish-kryeministri Sali Berisha, atakoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, për ato që ai i cilësoi si qëndrimet pro qeverisë.
Berisha sulmoi ashpër ambasadoren, duke thënë se diplomatja Kim sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik ne Tiranë.
“Foltorja ishte institucioni i lirisë në të cilën ju debatuat, morët përgjegjësi dhe kërkuat që Partia Demokratike të rithemelohet mbi vlerat, parimet dhe statutin e saj. Faktikisht rithemeloi partinë e lirive tona, e ekonomisë së lirë të tregut, e interesit kombëtar, e dinjitetit njerëzor. Ndaj unë dua të përulem sot përpara atyre qytetarëve që mbushën sallat, përpara atyre delegatëve që firmosën mbajtjen e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë.
Miqtë e mi, ne jemi dhe mbetemi parti e vokacionit perëndimor të popullit shqiptar, e parashikuar kjo në mënyrë gjeniale. E duke i shtuar këto nga zemrat e rinisë studentore te brohoritjet “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Për ne BE mbetet objektivi madhor. Ne nisëm këtë rrugë në kushte të vështira. Kundër nesh narko shteti me milionat dhe falangat e tij. Kundër nesh pengkryetari me të gjithë mbështetjen e qeverisë, por mjerisht ne u përballëm me një ndërhyrje të pashembullt, brutale, të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA-të. Me këtë rast unë dua të theksoj dhe t’i them këtyre zyrtarëve, se ne jemi një komb i vjetër në historinë tonë pak kush më shumë se ne ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave, nga lashtësia deri sot. Bashkimi Sovjetik ashtu siç e cilësoi në mënyrë gjeniale presidenti Regan ishte perandori e së keqes, ishte superfuqia e totalitarizmit, e degradimit të njeriut, e mjerimit dhe e dhunës e terrorit.
E kundërta e tij janë SHBA-të, perandoria e lirisë, e vlerave, vendi i madh i lirisë. SHBA ka bërë për lirinë e shqiptareve më shumë se çdo vend tjetër në bosh, por për lirinë e botës ka bërë më shumë se kushdo tjetër. Eshtë e trishtuar, e dhimbshme të shohësh ambasadorë të SHBA-ve të sillet si guvernatorë, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik ne Tiranë. Miqtë e mi, perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit ndonjëherë e harrojnë këtë. Në kulmin e korrupsionit dhe shndërrimit të Shqipërisë në protektorat të krimit të organizuar, përfaqësuesi ligjërata në mbështetje të narkoqeverisë, e sulmon opozitën me qëndrimet e saj.”, tha Berisha.