Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar rreth 4 ton produkte bimore në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja, në zonën e Shkozës në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në subjektin “Merja” u konstatuan 3984 kg bimë të thata të miksuara, të cilat ishin të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa, pa afat përdorimi dhe pa të dhëna mbi origjinën apo përbërjen.
Për këto shkelje, AKU vendosi bllokimin e menjëhershëm të sasisë së konstatuar, si dhe një gjobë prej 200 mijë lekësh për mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve.
Gjithashtu, nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se subjekti nuk kishte të implementuar sistemin e vetkontrollit, konkretisht mungonin skedat e monitorimit gjatë procesit të përpunimit. Për këtë arsye u vendos një tjetër masë administrative prej 100 mijë lekësh.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë, ndërsa u bëjnë thirrje operatorëve të respektojnë standardet ligjore për sigurinë ushqimore dhe transparencën ndaj konsumatorëve.






