Për vitin 2020, bashkitë në vend kanë ndjerë goditjen e pandemisë dhe gjithashtu të tërmetit.
Në një raport të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë analizohet situata e bashkive gjatë periudhës së pandemisë dhe efektet që pati edhe situata post-tërmet në buxhetet e tyre.
Projekti “Financat Lokale”, i financuar nga SECO (Sekretariati për Kooperimin Ekonomik i Qeverisë Zvicerane), mëton të përmirësojë performancën e bashkive nëpërmjet përmirësimit të aftësive të tyre në procesin e mbledhjes së të ardhurave (duke përfshirë edhe një parashikim sa më pranë reales), përmirësimin e menaxhimit të shpenzimeve dhe programeve buxhetore dhe kontrollin e brendshëm të punës së tyre.
Të ardhurat e veta vendore në raport me të ardhurat publike gjithsej kanë pasur një rritje të lehtë, që është dëshmi e përmirësimit të procesit të konsolidimit fiskal. Raporti tregon se ka një përmirësim domethënës nga viti 2015 ku të ardhurat e veta ishin sa 3.09% e totalit të ardhurave publike, në 5.16% në vitin 2020.
Sakaq, të ardhurat tatimore nga pushteti vendor të arkëtuara për vitin 2020 ishin 21.9 mld lekë apo rreth 90% e totalit të të ardhurave. Gjithësesi këto të ardhura kanë një tkurrje me 5.1% në raport me një vit më parë duke treguar rënie si pasojë e situatës së pandemisë dhe gjithashtu efektet e tërmetit.
Taksat vendore kanë pasur gjithashtu një trend rënës në raport me vitin 2019, Pasqyrat e të Ardhurave të analizuara nga ekspertët e projektit Financat Lokale, nënvizojnë se ato patën një rënie me 5.3% më pak se viti 2019 (rreth 17.6 mld lekë). Ndërkohë që tarifat vendore për vitin 2020 kanë pasur një rënie me 5.7% në raport me vitin 2019.
Zëri që ka peshën më të madhe në mbledhjen e të ardhurave në të ardhurat vendore lidhet me “Taksën e Ndikimit në Infrastrukturë” e cila sipas raportit është motori që tërheq të ardhurat. Sipas të dhënave rezulton se 80% e totalit të këtij zëri vilet nga Bashkia e Tiranës që gjatë vitit 2020 ka arkëtuar 6.3 mld lekë nga ky zë, një vlerë sa 45% e totalit të të ardhurave të kësaj bashkie.
Përpos të ardhurave duket se edhe programet e shpenzimeve të bashkive janë prekur si pasojë e të njëjtëve faktorë. Nga të dhënat makro vërehet se PBB ka pasur një rënie dhe kjo është shoqëruar me një rritje të vogël relative të shpenzimeve buxhetore.
Raporti i shpenzimeve të pushtetit vendor ndaj totalit të shpenzimeve publike gjatë vitit 2020 ka rezultuar në vlerën e rreth 9.59% që është një vlerë 1.8% më e ulët se një vit më parë. Rënia e këtij raporti gjatë vitit 2020 vjen për shkak se rritja e shpenzimeve të përgjithshme publike ka patur një normë më të lartë se rritja e shpenzimeve të pushtetit vendor.
Gjatë vitit 2020, pushteti vendor gjithashtu është ndikuar ndjeshëm në realizimin e shpenzimeve për shkak pandemisë. Ndryshime kanë pësuar jo vetëm shpenzimet sipas natyrës ekonomike por gjithashtu edhe ato në nivel funksioni e njësie të vetëqeverisjes vendore.
Në totalin e shpenzimeve bashkitë duket se kanë shpenzuar 8% më pak se sa një vit më parë. Trendi rënës ka prekur edhe realizimin e projekteve me të ardhurat e veta duke përmbushur vetëm 32% të shpenzimeve të programuara (17 mld lekë).
Të detajuar në zëra rezulton se 51%.e totalit të shpenzimeve i takojnë atyre shpenzimeve me burime transfertat e buxhetit qendror kurse pjesa tjetër mbulohet nga të ardhurat e bashkisë. Pjesën e luanit e marrin funksionet “Shërbimeve të përgjithshme publike” dhe “Arsimit”, përkatësisht në masën 22% dhe 20% të totalit të shpenzimeve vendore
Ndërkohë që ulje të ndjeshme kanë pasur Mbrojtja Sociale dhe Strehimi. Sipas të dhënave rënia e këtyre zërave ka qenë me 32.7% në buxhetet e bashkive. Për rindërtimin nga tërmeti në nivel vendor, nga fondi i planifikuar prej 29 miliardë lekësh nga shpenzimet e buxhetit, për vitin 2020 janë akorduar 14,9 miliardë lekë në formën e transfertës së pakushtëzuar për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, të cilat janë realizuar në masën 56 për qind, ose 8.3 miliardë lekë