Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Kosovës (KOSTT) kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike për përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe funksionimit të sistemit elektroenergjetik mes dy vendeve për vitin 2025.
Marrëveshja, e nënshkruar nga administratori i KESH-it, Erald Elezi, dhe kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, synon sigurimin e Rezervës Manuale për Restaurimin e Frekuencës (mFRR), një hap i rëndësishëm për balancimin dhe stabilitetin e rrjetit energjetik. Kjo marrëveshje përforcon rolin e KOSTT-it si një zonë rregulluese e pavarur dhe pjesë e bllokut rregullues të përbashkët me Shqipërinë.
Gjithashtu, në kuadër të kësaj përpjekjeje për rritjen e kapaciteteve të sistemit energjetik, u nënshkrua edhe një marrëveshje mes KESH dhe OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë) për ofrimin e Rezervave Automatike (aFRR), duke rritur kapacitetin nga ±25 MW në ±40 MW. Kjo do të mundësojë një përgjigje më të shpejtë dhe efektive ndaj ndryshimeve të papritura të frekuencës, duke garantuar një funksionim më fleksibël dhe të qëndrueshëm të rrjetit të përbashkët.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, u theksua se këto marrëveshje janë një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të rrjeteve energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë brenda rrjetit të Evropës Kontinentale.
Ky bashkëpunim synon të krijojë një sistem energjetik më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm për të dyja vendet dhe për të gjithë rajonin. Marrëveshjet pasqyrojnë frymën e unitetit dhe bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës, duke dëshmuar angazhimin për të përmbushur standardet ndërkombëtare në sektorin energjetik dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme energjetike për të gjithë rajonin.