Policia e Shtetit, në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e SPAK, ka finalizuar operacionin e koduar “Muri i Lartë”, në kuadër të një hetimi për një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni është zhvilluar në Tiranë dhe Shkodër. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër, është kapur dhe arrestuar 50-vjeçari Bledar Cafi, të cilin Policia e cilëson si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
GJKKO, më 25 shtator 2026, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Sipas Policisë, Cafi dyshohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në kuadër të të njëjtit operacion, janë ushtruar kontrolle edhe në disa ambiente që i përkasin shtetasit Endrit alias Indrit Dokle, 43 vjeç, i cili rezulton në kërkim që prej vitit 2024.
Edhe ndaj Dokles, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të njëjtat vepra penale, që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike dhe veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve, 43-vjeçari nuk është gjetur në banesë. Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Njoftimi i Policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar ‘Muri i Lartë’.
Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.
Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Muri i Lartë’, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal ‘Arrest me burg’ për veprat penale ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për veprat penale ‘Trafikim i lëndëve narkotike’, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’.
Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.”





