12.5 C
Tiranë
Saturday, September 26, 2026

Media rumune ngre pretendimet për lidhjet Hyseni-Coldea: “Do të kishin ndarë edhe të njëjtën zyrë”

Media rumune “Realitatea PLUS” ka publikuar një artikull ku ngre pretendime për lidhje mes ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe Florian Coldeas, ish-zëvendësdrejtorit të parë të Shërbimit Rumun të Inteligjencës (SRI) dhe ish-këshilltarit të kryeministrit Edi Rama.

Sipas pretendimeve të cituara në artikull, Hyseni dhe Coldea kanë punuar së bashku dhe, për një periudhë, “do të kishin ndarë edhe të njëjtën zyrë”. Media rumune pretendon gjithashtu se Hyseni “do të ishte përgatitur nga ana operative” nga Coldea dhe se të dy kanë zhvilluar udhëtime dhe takime jashtë Shqipërisë.

“Realitatea PLUS” thekson se i ka kërkuar një qëndrim Florian Coldeas, por sipas saj, deri në momentin e transmetimit të lajmit, ai nuk ishte përgjigjur.

Në artikull përmenden edhe zhvillimet që lidhen me ish-drejtoren e SHISH dhe hetimet e SPAK, ndërsa pretendimet për zbulim të sekreteve shtetërore dhe favorizim të një personi të dyshuar për lidhje me rrjete të krimit të organizuar paraqiten si akuza të cituara nga media rumune.

Çfarë shkruan “Realitatea PLUS”?

“Një skandal me jehonë ndërkombëtare ka shpërthyer Florian Coldean. Drejtoresha e shërbimeve në Shqipëri është pezulluar nga detyra dhe ndaj saj është lëshuar një urdhër arresti. Mediat në Tiranë raportojnë se shefja e shërbimeve shqiptare dhe Coldea kanë pasur lidhje të ngushta në kohën kur gjenerali ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Disa burime shkojnë edhe më tej dhe thonë se gruaja do të ishte përgatitur nga ana operative nga i ashtuquajturi ‘Gjenerali i Zi’.”

Media vijon duke thënë se Hyseni “akuzohet për zbulimin e sekreteve shtetërore dhe favorizimin e një personi të dyshuar për lidhje me rrjete të krimit të organizuar”, ndërsa dosja, sipas saj, po hetohet nga SPAK.

“Realitatea PLUS” i referohet edhe raportimeve të mediave shqiptare, sipas të cilave Vlora Hyseni “ka punuar në një moment përkrah Florian Coldea-s, gjatë periudhës kur ky i fundit ishte këshilltar i kryeministrit Edi Rama”.

“Në kohën kur u emëruan në detyra, si Florian Coldea ashtu edhe Vlora Hyseni shkaktuan polemika të mëdha. Madje, mediat shqiptare shkruajnë se të dy do të kishin ndarë edhe të njëjtën zyrë për një periudhë. Pasi u bë drejtues në SRI, sipas gazetarëve, Coldea do të ishte përfshirë edhe në shërbimet shqiptare. Disa burime shkojnë edhe më tej dhe thonë se Hyseni do të ishte përgatitur nga ana operative pikërisht nga Florian Coldea.”

Artikulli pretendon gjithashtu se Hyseni dhe Coldea do të kishin zhvilluar udhëtime dhe takime jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe periudhën pasi Hyseni mori drejtimin e shërbimeve shqiptare.

Dosja ndaj Florian Coldeas në Rumani

Në artikull trajtohet edhe çështja penale në Rumani ndaj Florian Coldeas. Sipas “Realitatea PLUS”, ai është dërguar për gjykim në një dosje që lidhet me akuza për trafik ndikimi, krijimin e një grupi të organizuar kriminal dhe pastrim parash.

Bashkë me të janë përmendur edhe ish-gjenerali i SRI-së, Dumitru Dumbravă, avokati Doru Trăilă dhe biznesmeni Dan Tocaci.

Dosja doli në vëmendjen e publikut në maj të vitit 2024, kur Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion në Rumani (DNA) njoftoi se katër persona po ndiqeshin penalisht, nën kontroll gjyqësor, në kuadër të një hetimi për vepra të dyshuara të trafikut të ndikimit dhe pastrimit të parave.

Sipas DNA-së, gjatë periudhës mars 2023-prill 2024, tre prej të dyshuarve do t’i kishin kërkuar një biznesmeni, i cili ishte dëshmitar në çështje, shumën prej 700 mijë eurosh plus TVSH, duke pretenduar se kishin ndikim mbi disa magjistratë dhe se mund t’i bindnin ata të merrnin vendime të favorshme në një çështje penale.

Më pas, sipas pretendimeve të prokurorëve, shuma do të ishte ulur në 600 mijë euro plus TVSH, ndërsa një këst i parë prej rreth 100 mijë eurosh pretendohet se ishte paguar.

Çfarë pretendojnë prokurorët në aktakuzë?

Në korrik 2025, DNA njoftoi dërgimin për gjykim të tre personave, dy ish-ushtarakë dhe një avokat, për krijimin e një grupi të organizuar kriminal, dy vepra penale të trafikut të ndikimit, ushtrimin pa të drejtë të një profesioni ose aktiviteti dhe pastrimin e parave.

Një person i katërt u dërgua për gjykim për krijimin e një grupi të organizuar kriminal dhe bashkëpunim në trafik ndikimi.

Sipas burimeve gjyqësore të cituara nga Agerpres, dy ish-ushtarakët janë Florian Coldea dhe Dumitru Dumbravă, ndërsa avokati është Doru Trăilă.

Sipas aktakuzës, prokurorët pretendojnë se grupi do të ishte krijuar gjatë periudhës 2018-2020 dhe se aktivitetet e hetuara do të kishin vazhduar deri në vitin 2024.

Hetuesit pretendojnë se personat në fjalë do të kishin përdorur lidhjet dhe ndikimin e fituar gjatë kohës kur kishin mbajtur poste në institucione publike për t’u ofruar klientëve shërbime dhe ndërhyrje, të cilat pretendonin se mund t’i realizonin përmes personave me ndikim.

DNA pretendon gjithashtu se gjatë periudhës 2019-2024 do të ishin ofruar shërbime konsulence juridike për klientët e nëntë shoqërive tregtare, përfshirë përmes një shoqërie avokatie, megjithëse një prej personave të përfshirë nuk kishte statusin e avokatit.

Prokurorët pretendojnë gjithashtu se disa kontrata dhe fatura do të ishin përdorur për të fshehur origjinën e disa shumave të parave.

Në çfarë faze ndodhet dosja?

Në korrik 2025, DNA e dërgoi çështjen për gjykim, me të pandehurit në gjendje të lirë. Prokurorët propozuan gjithashtu konfiskimin e disa shumave për të cilat pretendojnë se burojnë nga aktivitetet e hetuara, si dhe vendosën masa sigurie mbi disa pasuri dhe llogari.

Në gusht 2026, Gjykata e Apelit në Bukuresht, në procedurën e dhomës paraprake, rrëzoi kërkesat dhe kundërshtimet e paraqitura nga të pandehurit dhe konstatoi ligjshmërinë e dërgimit të çështjes në gjykatë përmes aktakuzës, si dhe ligjshmërinë e administrimit të provave dhe akteve të ndjekjes penale.

Vendimi mund të ankimohet dhe çështja ende nuk është zgjidhur në themel. Aktualisht, dosja ndodhet në fazën e procedurave që i paraprijnë gjykimit në themel.

Ankimi kundër vendimit të dhomës paraprake pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Kasacionit dhe Drejtësisë në Rumani. Sipas informacioneve të publikuara së fundmi, seanca e radhës është caktuar për 15 tetor 2026.

Pretendimet e paraqitura në lidhje me marrëdhëniet mes Vlorë Hysenit dhe Florian Coldeas, si dhe akuzat e përmendura në dosjen rumune, janë pjesë e raportimeve dhe procedurave hetimore/gjyqësore dhe nuk përbëjnë në vetvete një përfundim gjyqësor mbi përgjegjësinë e personave të përmendur.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Horoskopi ditor, e Diel, 27 Shtator 2026

0
♈ Dashi Do të ndjesh më shumë energji dhe dëshirë për të vepruar. Në dashuri, një takim ose bisedë mund të sjellë një kthesë interesante. ♉...

Parashikimi I motit, e Diel, 27 Shtator 2026

0
Pas një periudhe me reshje dhe temperatura më të ulëta, e diela, 27 shtator 2026, pritet të sjellë një përmirësim të dukshëm të motit...

Fundi i shtatorit sjell surpriza në dashuri, 3 shenja mund të marrin mesazh nga...

0
Fundi i shtatorit sjell një atmosferë të veçantë astrologjike për çështjet e zemrës. Me Venusin në Akrep dhe Mërkurin në Peshore, komunikimi, emocionet dhe...

Operacioni “Muri i Lartë”, arrestohet në Shkodër 50-vjeçari i dyshuar për trafik droge, në...

0
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me BKH-në dhe nën drejtimin e SPAK, ka finalizuar operacionin e koduar “Muri i Lartë”, në kuadër të një...

Plagosja me armë në Tiranë, identifikohet autori i dyshuar: 54-vjeçari qëlloi pas sherrit në...

0
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë kanë identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator...