KOTOR, Mali i Zi – Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në Takimin Ministerial të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, i fokusuar këtë vit te Ekonomia Kreative. Ngjarja u zhvillua në qytetin bregdetar të Kotorit, në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Mbretëria e Bashkuar dhe organizata ndërkombëtare.
Takimi u drejtua nga Dame Karen Pierce, e Ngarkuara Speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të British Council, Bankës Botërore, dhe institucioneve të tjera partnere.
Ekonomia kreative: Nga alternativë në prioritet
Në fjalën e tij, Gonxhja theksoi progresin e Shqipërisë në fushat e sipërmarrjes, ekonomisë, turizmit, teknologjisë dhe inovacionit, duke theksuar potencialin real të ekonomisë kreative për vendin.
“Ekonomia kreative nuk është më një alternativë, por një motor zhvillimi që mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar dhe mbi 70 mijë vende pune në Shqipëri,” deklaroi ministri.
Ai shtoi se Shqipëria po afirmohet me dinjitet në hartën kulturore dhe ekonomike të Evropës, ndërsa vendimi për ngritjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u vlerësua si një shembull i qeverisjes në përputhje me agjendën globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe inovativ.
Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative – Londra pret hapin e dytë
Gjatë ministerialit u shpall edhe Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative, e cila synon të financojë dhe nxisë rritjen e këtij sektori në vendet e Ballkanit Perëndimor.
• Raundi i parë i fondeve nis menjëherë, duke i dhënë impulse të menjëhershme projekteve kreative në rajon.
• Raundi i dytë do të zyrtarizohet në tetor në Londër, në një takim tjetër të nivelit të lartë ndërkombëtar.
Ky angazhim shënon një hap konkret drejt rritjes së investimeve në sektorë që lidhen me kulturën, artin, teknologjinë dhe sipërmarrjen e re.






