Tre vepra arti me vlerë totale mbi 9 milionë euro, të vjedhura në mars nga Fondacioni Magnani Rocca në Mamiano di Traversetolo, pranë Parmës, janë gjetur dhe rikuperuar nga Karabinierët italianë.
Veprat u lokalizuan pas një hetimi të gjerë të autoriteteve italiane, të koordinuar nga Zyra e Prokurorit të Parmës. Tashmë, tre pikturat ndodhen në duart e policisë.
Bëhet fjalë për “Tasse et plat de cerises” të Paul Cézanne, një vepër me laps dhe akuarel mbi letër të bardhë, e vlerësuar rreth 6 milionë euro.
Në listën e veprave të rikuperuara është edhe “Les Poissons” e Pierre-Auguste Renoir, pikturë në vaj mbi kanavacë, e nënshkruar dhe datuar “Renoir 1917”, me vlerë rreth 3 milionë euro.
Vepra e tretë është “Odalisque Sur La Terrasse” e Henri Matisse, një akuatintë me ngjyra mbi letër, e vlerësuar rreth 20 mijë euro.
Vjedhja ndodhi gjatë natës së 22-23 marsit 2026, kur një grup i organizuar hyri me forcë në muze. Autorët prenë hekurat rrethues të portës me një sharrë dhe, sipas hetimeve, e përfunduan grabitjen në më pak se tre minuta.
Grabitësit, të cilët kishin mbuluar fytyrat, lanë pas një pikturë të katërt pasi u aktivizua sistemi i alarmit. Në vendngjarje u gjetën gjurmë biologjike dhe gjurmë gishtash, të cilat u përdorën nga hetuesit për të avancuar në identifikimin e autorëve.
Fondacioni Magnani Rocca, i njohur edhe si “Vila e Kryeveprave”, ruan koleksionin e përhershëm të historianit të artit Luigi Magnani. Në të gjenden gjithashtu vepra të artistëve të njohur si Dürer, Rubens, Van Dyck, Goya dhe Monet.





