Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për zgjatjen me gjashtë muaj të hetimeve ndaj Ilir Metës, president i Partisë së Lirisë, duke e cilësuar këtë një akt politik dhe kriminal, të orkestruar personalisht nga kryeministri Edi Rama dhe prokurori Altin Troplini.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha:
“Vendimi i fundit i Edi Ramës dhe Altin Troplinit për të mbajtur në burg kryetarin e PL është një akt politik, kriminal, që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta. Dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute, atërore ndaj opozitës.”
Berisha theksoi se Ilir Meta po mbahet në qeli pa asnjë provë apo fakt penal, ndërkohë që sipas tij, as nuk ekziston një urdhër arresti i ligjshëm, por vetëm një urdhër politik i Ramës.
“Meta mbahet në burg si person nën hetim, pa asnjë fakt penal. Pasi dorëzuan dosjen në gjykatë, kërkuan zgjatjen e hetimeve me 6 muaj – ky është abuzim flagrant me ligjin dhe me konventat për të drejtat e njeriut.”
Kreu i opozitës përdori tone të forta politike, duke e quajtur këtë një manifestim të “narkodiktaturës dhe bandokracisë” që, sipas tij, karakterizon regjimin e Ramës. Ai akuzoi kryeministrin se vepron i shtyrë nga urrejtja personale dhe politike:
“Nuk ka kufi urrejtja e Edi Ramës për kureshtarin e tij politik. Është identike me urrejtjen e babait të tij xhelat që firmosi varjen e Havzi Nelës në gusht të ’88-s dhe të dajës së tij xhelat që donte tanket mbi studentët në Dhjetor ‘90.”
Berisha paralajmëroi se Rama dhe Troplini do të mbajnë përgjegjësi për këtë vendim, duke e quajtur një akt të rëndë dhe të papranueshëm në një vend demokratik.
Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar nga qeveria apo nga prokuroria për akuzat e Berishës. Ndërkohë, çështja ndaj Ilir Metës vijon të jetë një nga dosjet më të ndjeshme politike dhe ligjore në vend.






