TIRANË – Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione dhe debate mes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Shkak i debatit u bë mungesa e një ministri në seancë për shqyrtimin e një projektligji. Bardhi kërkoi që në përputhje me rregulloren e Kuvendit, duhet të jetë i pranishëm ministri që ka kundërfirmosur projektligjin në Këshillin e Ministrave, për të dhënë sqarime dhe përgjigje për pyetjet e deputetëve.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali tentoi ta ndërpriste gjatë fjalës së tij, çka acaroi deputetin demokrat, i cili i kërkoi të mos ndërhynte dhe e krahasoi atë me ish-zv.kryetaren e Kuvendit, Ermonela Felaj.
“Ke marrë huqet e Ermonelës. Zonja kryetare, të paktën ngrihu në lartësinë e zonjës Nikolla”, – tha Bardhi me tone të ashpra.
Ndërkohë Spiropali iu kundërpërgjigj me ironi:
“Nuk jeni në pozita të na tregoni lartësitë nga gropa ku keni rënë… Halle, halle kjo dynja, por hallet tuaja janë të çuditshme”.
Bardhi insistoi se kërkesa e tij nuk ishte politike, por një zbatim i rregullores së Kuvendit dhe theksoi se prania e ministrit në diskutimin e projektligjit është e detyrueshme.
Debati mes tyre u zhvillua mes ndërprerjesh dhe shkëmbimesh ironike, duke reflektuar përçarjen e thellë mes opozitës dhe mazhorancës edhe në çështjet procedurale të legjislacionit.






