Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Apelit Administrativ, Lindita Sinanaj. Gjyqtarja nuk qe e pranishme në seancë gjatë shpalljes së vendimit.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën më 6 korrik, Komisioni e vuri theksin në problemet e evidentuara në kriterin e pasurisë si dhe bilancit negativ në shumën totale 10.7 milionë lekë. Sinanaj i kundërshtoi gjetjet dhe pretendoi se provat e saj i përmbysnin ato.
Në seancë, ndaj gjyqtares nuk u relatuan probleme me figurën dhe profesionalizmin, ndërsa u tha pa u specifikuar se Sinanaj ishte pyetur për 3 nga 22 denoncimet e dorëzuara në adresë të saj.
Trupi gjykues që kreu procesin e vetingut për Sinanajn kryesohej nga Pamela Qirko, relator Suela Zhegun dhe anëtar Lulzim Hamitajn.
Lindita Sinanaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Prej vitit 2013, Sinanaj e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.
Gjatë seancës dëgjimore u tha se “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se ndaj Sinanajt kishte pasur një raport negativ nga ILDKPKI-ja.
Nga vetë hetimi i KPK-së kishte rezultuar se gjyqtarja kishte blerë një apartament në vitin 2000, që ishte deklaruar prej saj i financuar nga kursimet për 3.9 milionë lekë. Apartamenti i mësipërm rezultonte i shitur në vitin 2012 për 73 mijë euro.
Duke iu referuar këtij fakti dhe çmimit të shitjes të ndarë në dy pjesë: 55 mijë euro për banesën dhe 18 mijë euro për mobilet, Komisioni tha se i kishin lindur dyshime për fiktivitet. KPK-ja vuri në dyshim të gjithë transaksionin dhe tha se blerësit nuk kishin burime të ligjshme për të justifikuar këtë transaksion.