Një krim tronditës ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Milano, ku modelja dhe sipërmarrësja 29-vjeçare, Pamela Genini, u vra me thikë nga i dashuri i saj, biznesmeni Gianluca Soncin, 52 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen Gorla, ndërsa policia arriti në vendngjarje pak sekonda pasi fqinjët dëgjuan britmat e vajzës.
Sipas dëshmive, autori e tërhoqi Pamelën në ballkon duke mbajtur një thikë në dorë, ndërsa oficerët ndodheshin ende jashtë apartamentit. Brenda pak çastesh, ai e goditi 24 herë, nën sytë e fqinjëve që bërtisnin “Do ta vrasë, do ta vrasë!”. Kur policët arritën në katin e tretë, ajo ishte tashmë pa jetë.
Autori, që ende mbante thikën, tentoi të vetëvritej duke u goditur në fyt para oficerëve. Ai u dërgua në spital në gjendje kritike.
Telefonata e fundit
Pak para sulmit fatal, Pamela kishte kuptuar rrezikun dhe kishte telefonuar ish-partnerin e saj duke i kërkuar ndihmë. Ish-i dashuri njoftoi menjëherë policinë dhe u nis drejt banesës në Via Iglesias, por gjithçka ndodhi shumë shpejt.
Sipas raportimeve, kur policia i ra interfonit, Pamela ishte ende gjallë dhe, për t’u shtirur sikur gjithçka ishte në rregull, u përgjigj me fjalën “Glovo?”, sikur priste një dërgesë. Ajo nuk arriti të hapte derën — oficerëve iu desh ta thyenin hyrjen, por tashmë ishte tepër vonë.
Një lidhje e dështuar dhe fund tragjik
Pamela dhe Gianluca kishin qenë në një lidhje për rreth një vit. Së fundmi, 29-vjeçarja kishte vendosur të ndahej, vendim që sipas të afërmve e kishte zemëruar biznesmenin. Ai kishte lënë makinën Audi pranë ndërtesës dhe ishte paraqitur në banesën e saj, duke pretenduar se donte një “bisedë paqësuese”.
Por biseda u kthye në tragjedi. Brenda pak minutash, Pamela Genini humbi jetën në mënyrë brutale, duke u bërë viktimë e radhës e dhunës në marrëdhënie.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për vrasje të paramenduar, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik në Milano dhe më gjerë.






